Kryeministri Edi Rama ditën e sotme mori pjesë në takimi që u zhvillua në kuadër të shpalljes së programit të financimit IPARD III, për vitet 2021-2027, akredituar nga Komisioni Evropian më 9 mars 2022.
Bashkimi Europian për IPARD III ka vënë në dispozicion 112 milionë euro, ndërkohë qeveria shqiptare ka rritur vlerën e kontributit financiar, nga 23 milionë që ishte për IPARD II, në 34 milionë euro financim nga buxheti i shtetit.
Në fokus do të jenë investimet në sektorët e prodhimit bujqësor, përpunimit, grumbullimit, agroturizmit, industria e peshkimit, zhvillimi i pyjeve, agromjedisi, investimet në infrastrukturën publike të zonave rurale, qasja LEADER si dhe ‘Shërbimi Këshillimor’.
Në nisje të fjalës Kryeministri tha: “Ju falënderoj për mundimin që pjesa dërrmuese keni bërë për të ardhur këtu dhe për të kremtuar një moment të rëndësishëm në rrugën e rilindjes së bujqësisë që është aprovimim i një tjetër shume të konsiderueshme financimi nga BE, për Shqipërinë. Shumë e cila është më shumë se 50% më e lartë, sesa shumë e financimit që së bashku kemi mundur të vëmë në punë.”
Më tej, ai shprehu: “Me këtë financim të tretë të Bashkimit Europian hapet një rrugë edhe më e gjërë dhe për gjithë ju që do të doni të zhvilloni më tutje sipërmarrjen tuaj. Kjo është një risi e jashtëzakonshme në jetën rurale të vendit tonë, e cila u vonua për shumë e shumë vite.”
“Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural u kthye nga problemi në zgjidhjen për shumë çështje të mprehta të sektorit, ku deri kur ne morëm detyrën pikat e grumbullimit numëroheshin me gishta për të mos folur për standardet dhe ndërkohë agropërpunimi ishte në belbëzim me disa realitete sporadike, por gjithnjë me njerëz të punës që ishin të brakisur totalisht nga shtetit” tha Kryeministri Rama.
Po ashtu Rama tha se sot realitet është krejt ndryshe, është hapur rruga e duhur për të gjithë ata që duan të vrapojnë më shpejt dhe ju jeni shembulli që fjalët që themi ne, si mund të bëhet sukses, nuk janë dëshira por janë fjalë që kanë mbështetje në fakte.