Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur raportit të organizatës Gazetarët pa Kufij që e radhit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike për lirinë e shtypit. Rama tha se i beson vetëm raportit të BE ndërsa shtoi se nuk i duket shqetësuese situata e medias në Shqipëri pasi vitin e kaluar nuk është kërcënuar asnjë gazetar.
“Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Shqipëri. Për këtë nuk ka raport. Nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë thonë raportet. Nëse dëshironi, mund të nis me raportin e BE ku një grup i tërë njerëzish punon për raportin bazuar në fakte e argumenta, jo mbi perceptime e axhenda.
Me të gjithë respektin, por në këto vite leximi kam mësuar të jem selektiv se një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm. Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar. Kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara, do i lutesha të vinte në dispozicion këto të dhëna”, tha Rama.
Ndërsa për reportazhet për krimin e organizuar, u shpreh se nuk i beson asgjëje që nuk ka fakte.
“Kam parë shumë nga këto reportazhe, por faktet kanë rëndësi për mua dhe këto i keni në të gjitha raportet e progreset të BE dhe nga ecuria e luftës me krimin, drogën. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani”, tha Rama.