Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e dy marrëveshjeve për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

U miratua, në parim, marrëveshja ndryshuese e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.52/2018.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr. 29/2017.