Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Senatit të Rumanisë, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit, Senatori Titus Korlatean.
Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dhe marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Rumanisë.
Ajo vuri në dukje se, “bashkëpunimi ekonomik e tregtar duhet të ndjekë bashkëpunimin politik. Zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar do t’i shërbejë intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis dy vendeve. Ne takohemi në një ditë simbolike, Ditën e Evropës, dhe në një kohë kur rendi botëror dhe arkitektura e sigurisë evropiane është e rrezikuar nga sulmi i Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria i është mirënjohëse Rumanisë për mbështetjen e vendosur të procesit të integrimit evropian dhe mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë ndërqeveritare. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një thirrje për përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.”
Nikolla vlerësoi disa qëndrime të Rumanisë për rritjen e rolit të Kosovës në nismat rajonale dhe u shpreh se ka ardhur koha që Rumania të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Senatori Titus Korlatean, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe nënvizoi se duhet të punojmë që bashkëpunimi ekonomik të ngrihet në nivelin e bashkëpunimit politik. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe fuqizimi i bashkëpunimit parlamentar. Rumania, ashtu si edhe Shqipëria, dënon ashpër agresionin e Rusisë kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.
Në lidhje me Kosovën, Senatori Korlatean nënvizoi se edhe pse Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po aplikon një qëndrim konstruktiv në përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe proceset integruese në Ballkanin Perëndimor.
Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Șerban.