Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimin e liderit rus Vladimir Putin, me të cilin foli dje për më shumë se një orë.
“Për shkak të idesë së çmendur të Putinit për zgjerimin e perandorisë ruse, si Rusia ashtu edhe e gjithë bota po paguajnë një çmim të lartë”, tha Scholz, duke iu referuar pasojave në tregun e grurit në një intervistë për portalin T-online.
“Putini duhet të kuptojë se e vetmja rrugëdalje është një marrëveshje me Ukrainën”, ndërsa NATO-ja, “jo vetëm që nuk është tërhequr, por është forcuar në krahun lindor dhe Aleanca do të bëhet edhe më e fortë me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë”.
Scholz më pas kujtoi se Rusia tashmë ka pësuar humbje më të mëdha ushtarake në Ukrainë sesa në luftën dhjetëvjeçare në Afganistan.