FILE PHOTO: U.S. State Department Spokesman Ned Price speaks to reporters during a news briefing at the State Department in Washington, U.S., March 1, 2021. REUTERS/Tom Brenner/Pool

Departamenti Amerikan i Shtetit e përjashton mundësinë që Tirana dhe Shkupi të ndahen në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës sigurojnë se do të lehtësojnë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e kontestit për çështjet historike, identitetin, gjuhën maqedonase si dhe të drejtat e pakicës bullgare që jeton në Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan, Ned Price, njoftoi dje për mediat se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime dypalëshe me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet dypalëshe, sepse ky është momenti që të dyja vendet të marrin dritën jeshile nga Këshilli Europian.

Price shtoi se Uashingtoni beson se tani është koha që gjërat të ecin përpara dhe të dy vendet të fillojnë procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.

“Të dyja vendet kanë përfunduar detyrat bazë dhe ne besojmë se është koha për të ecur përpara së bashku në fazën tjetër të procesit të gjatë dhe sfidues të pranimit. Marrëveshja historike e Prespës ka treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të kryejnë detyra të vështira, të arrijnë kompromise dhe vendime të vështira dhe ne jemi të bindur se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bëjnë të njëjtën gjë duke negociuar mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe”, tha Ned Price, zëdhënës i DASH-it.

Por, Price nuk dha detaje nëse palët janë pranë arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme përveçse konfirmoi mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fuqishëm e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Price.

Zëdhënësi i DASH-it vuri në dukje se Uashingtoni beson se tani është koha që gjërat të ecin përpara dhe të dy vendet të fillojnë procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.

“Marrëveshja historike e Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit tregoi se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të afta të bëjnë gjëra të vështira, të bëjnë kompromise dhe të gjejnë zgjidhje”, theksoi zyrtari i DASH-it. Nike Price i bëri thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin ngërçin e krijuar mes dy vendeve.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur shpejt këto mosmarrëveshje, por ne padyshim që nuk po hyjmë në detajet e atyre bisedimeve”, u shpreh Nik Price gjatë një interviste për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve në Maqedoninë e Veriut, “MIA”.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian në një bisedë telefonike javën e kaluar, deklaruan se procesi po përshpejtohej.

Megjithatë, pala bullgare e ka bërë të qartë se nuk e heq veton nëse Parlamenti në vendin fqinj nuk miraton ndryshimet kushtetuese që lidhen me njohjen e të drejtave të minoritetit bullgar në Maqedoninë e Veriut. Presidenti bullgar, Rumen Radev, më datën 4 maj, deklaroi se “Sofja zyrtare po përballet me presion nga partnerët euroatlantikë për arritjen e një marrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që do të çonte në heqjen e vetos bullgare”.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian. Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar përfshirjen e tyre në Kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues.