Shqipëria synon të zgjerojë hartën e eksporteve bujqësore dhe produkteve peshkore drejt tregut egjiptian. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca priti dje në një takim pune ambasadorin e Egjiptit, në Shqipëri Mohamed Mostafa Heider, me të cilin diskutoi mbi nxitjen e eksporteve bujqësore mes dy vendeve.

“Takova ambasadorin e Egjiptit, Mohamed Mostafa Heider, përfaqësues i një vendi që ka potencial tregjesh të reja e me ndikim në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore shqiptare, ndër to edhe produktet peshkore”, u shpreh Krifca. “Folëm më specifikisht për orientimin e eksporteve për mollën shqiptare, varietetet e së cilës mungojnë në tregjet lindore duke mundësuar lehtësira në lidhje me tarifat doganore”, tha ministrja.

Krifca theksoi se, shkëmbimi mes vendeve tona mbi bujqësinë nuk do të ndalet vetëm te produktet, por do të zgjerohet edhe te burimet njerëzore, që do të përfshijnë qendrat e ekselencës në bujqësi. Sot vendi ynë eksporton produkte bujqësore në mbi 85 shtete të botës. Ndër produktet më të eksportuara janë bimët mjekësore, perimet e freskëta dhe frutat.