Votat u numëruan tek Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, por një episod i filmuar nga kamerat në selinë blu po bën xhiron e rrjetit. I gjithë debati duket se është fokusuar në numrin e votave. Njëri prej persnave që duhet të plotësojë letrën me të dhënat e sakta pyet për numrin e fletëve të votimit, ndërsa tjetri i jep një përgjigje. Por, numri 211 nuk u duket bindës dhe vijojnë të shtojnë shifrën. Një prej numëruesve dëgjohet të thotë ta shkruajë edhe 300 sepse më vonë do ta rrumbullakosin.

“221? Jo, jo, futja 250. Futja mor 300 aty se e rrumbullakosim pastaj. Po ç’rëndësi ka…,”- dëgjohet të thonë ata në momentin që Albana Vokshi distancohet nga tavolina.

Procesverbali i dalë më vonë nga vetë zyra e shtypit të PD-së, tregonte të tjera numra.

“Nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar, punimet nisën me 203 anëtarë prezent, numër shumë më i lartë se kuorumi i nevojshëm. Në një proçes tërësisht transparent, votuan 211 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Në bazë të rezultateve të votimit, Edi Paloka mori 132 vota kurse kandidatja Eleina Qirici 79 vota. Në fund të procesit, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale publikon procesverbalin e rezultateve të votimit,”- shkruhet në noftim.

Por ç’kuptim ka kjo video? Ende nuk ka një sqarim nga Partia Demokratike.