Nga Artur Ajazi
Gërdeci dhe 21 Janari, mbeten dosjet më të bujshme, për të cilat SPAK-u, duhet të ndalet, të hetojë dhe dërgojë për gjykim cilindo që ka gisht në ato krime. Koha thonë “mbulon gjithçka”. Por të paktën, në rastin e këtyre krimeve kaq makabre, duhet që drejtësia të thotë fjalën e saj. Askush, jo sot, por edhe pas 100 vitesh, nuk mund të mbetet pa marrë ndëshkimin e ligjit.
Ky është parimi bazë në sistemin demokratik. Edhe sot pas 11 vitesh, 21 Janari akuzon, 4 të vrarët duan dhe presin drejtësi. Edhe sot pas 11 vitesh, ata që i vranë, ata që qëlluan mbi protestuesit paqësorë, dhe që kishin synim edhe më tej, të vrisnin madje edhe kryetarin e Partisë Socialiste, janë të lirë, të pandëshkuar nga organet kompetente. Dhe në fakt, drejtësia dhe vetëm ajo, ka të drejtën dhe detyrimin të japë verdiktin e saj për ata që urdhëruan dhe fshehën vrasësit, për ata që mbrojtën snajperët e Gardës dhe rojet e ish-kryeministrisë. Katër të vrarët e 21 Janarit, sot janë “Dëshmorë të Atdheut”, sepse meritojnë nderime të tilla.
Ata ishin të pafajshëm, kishin ardhur të protestonin dhe mbështesnin opozitën e asaj kohe, me mendimin dhe shpresën e madhe, se qeverisja e asaj partie që njeh vetëm dhunën si mjet “demokratik”, do të ishte e përgjegjshme. Katër të vrarët e 21 Janarit dhe mungesa e ndëshkimit ligjor, janë akuza më e madhe ndaj ish-kryeministrit, (për ironi të fatit sot kryetar i PD) ndaj ish-ministrit të Brëndshëm, (me vila dhe pasuri marramendëse) ndaj drejtuesve të Gardës dhe snajperëve që zbatuan urdhërat kriminalë, por edhe hetuesve dhe prokurorëve, që kanë patur kohën dhe mundësinë të çojnë në qeli autorët e një krimi makabër. Katër të vrarët e 21 Janarit, janë edhe sot shembëlltyra e një partie politike dhe ish-qeverisje të shëmtuar dhe kriminale, e cila me vetëdije të plotë, përmes gojës së ish-kryeministrit deklaronte se “garditët janë heronj, të vrarët janë kamikazët e Ramës”.
Dhe me të drejtë në ditën e përkujtimit të tyre, kryeministri Rama deklaron se “ata që përdorën çekiçin e gjykatësit dhe sakatuan të drejtën e familjarëve për të parë drejtësi për 21 Janarin nuk duhet të harrohen, edhe pse një pjesë e tyre janë larguar nga sistemi si pjesë e llumit që vazhdon të pastrohet në atë sistem, një pjesë tjetër janë larguar duke dhënë dorëheqjen të vetëdijshëm që nuk mund ta kalonin filtrin e llumit, një pjesë tjetër janë akoma në punë se nuk i ka ardhur radha duke qenë se janë në shkallën e parë”.Drejtësia për 21 Janarin është një detyrim moral dhe ligjor i drejtësisë së re, e cila së fundmi ka nisur të lëvizë, duke kërkuar rihapjen e dosjes së vrasjeve të 4 “Dëshmorëve të Atdheut” dhe Gërdecit.
Ata prokurorë dhe gjyqtarë që menduan se me Vetting-un, dhe përjashtimin nga drejtësia i shpëtuan ndëshkimit ligjor, duhet patjetër të japin llogari para shqiptarëve, dhe para familjarëve të 4 të vrarëve. Partia Socialiste dhe personalisht kryetari i saj Edi Rama, mbeten të vendosur, në kërkesën e tyre për të dhënë drejtësi për 4 të vrarët e 21 Janarit,për të hetuar dhe gjykuar pa asnjë mëdyshje këdo që ka qenë në piramidën qeveritare, dhe që mban përgjegjësi ligjore për urdhërat e dhënë. Ka ardhur koha që drejtësia e re, të mbyllë në qeli jo vetëm zbatuesit e urdhërave kriminalë, por edhe vetë vrasësit me kollare.
Mungesa e ndëshkimit, u ka hapur rrugën ish-pushtetarëve dhe ish-urdhëruesve të Gërdecit dhe 21 Janarit, të kërkojnë sërish pushtetin, tu premtojnë sërish shqiptarëve “qeverisje të mirë”. Goditja ndaj grupeve kriminale është padyshim sukses, por edhe zbulimi, hetimi dhe gjykimi i krimeve shtetërore mbetet pritshmëria e madhe e qytetarëve. Të shohësh pas hekurave një kriminel është suksesi qeverisë, kurse të shohësh në qeli një politikan të korruptuar apo qeveritar vrasës, është fitore e drejtësisë.