Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Ukraina duhet të urdhërojë ushtarët e saj që janë të izoluar në fabrikën e çelikut të rrethuar të Mariupolit, Azovstal, të hedhin armët dhe të dorëzohen.
Sipas Kremlinit, Putin i bëri këto deklarata gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Naftali Bennett.
Zyrtarët rusë deklaruan se Putin tha se ushtarët e tyre janë gati të ofrojnë kalim të sigurt për civilët që mbeten të bllokuar në uzinë, raportoi BBC.
Sipas autoriteteve ukrainase rreth 200 civilë janë ende të bllokuar brenda uzinës së çelikut nën sulmet e intensifikuara ruse, diçka që Kremlini e mohon.
Kujtojmë që uzina e çelikut është bërë e vetmja pikë ku rezistenca ukrainase në qytetin e Mariupolit ende vijon. Mes personave të bllokuar në këtë uzinë, ka shumë ushtarë të plagosur dhe gjendja atje është p[asqyruar shumë e vështirë.