“Goal.com” i ka kushtuar një shkrim të veçantë Armando Brojës, sulmuesit të kombëtares sonë kuqezi: “Ylli i huazuar i Chelsea, Armando Broja po tërheq interes nga gjigantët e Serie A; Milan, Inter dhe Napoli, së bashku me skuadrat e Premier League, Newcastle, West Ham dhe Southampton.

Blutë e Londrës do të përballen me një zgjedhje këtë verë, nëse do t’i japin 20-vjeçarit një shans në ekipin e parë apo do ta lënë atë të largohet për një shumë të madhe. Me siguri, Chelsea gjendet përpara një ‘lufte’ të mundshme ofertash për shqiptarin.

Pikëpamja e Thomas Tuchel do të jetë kyçe për të ardhmen afatgjatë të Brojës, të cilit i ofrohet futbolli i ekipit të parë diku tjetër. I rritur diplomuari te ‘Cobham’ (academia e Chelsea), Broja ka performuar mirë në sezonin e tij të parë si huazim në Premier League te Southampton, duke shënuar 9 herë në 38 paraqitje, në të gjitha garat.

Ai pason një sezon huazimi te Vitesse, ku u bë ‘adoleshenti’ me golat më të rëndësishëm në 10 ligat më të mira të Evropës. Mbetet e paqartë se sa do të kushtonte Broja për të nënshkruar me të, por disa raporte e kanë vlerësuar në rreth 25 milionë £ (31 milionë dollarë). Sulmuesi ka një kontratë në ‘Stamford Bridge’ deri në vitin 2026.

Duke folur së fundmi për të huazuarit e tij, Tuchel dha pikëpamjen e tij se çfarë do t’i duhet Brojës, së bashku me Conor Gallagher të Crystal Palace, për të luajtur te Chelsea sezonin e ardhshëm:

Së pari, ata do të kthehen, sepse janë lojtarët tanë. Kur i japim në huazim, ne e bëjmë këtë për ta, por edhe për klubin, që të kemi lojtarë më të mirë dhe më me përvojë. Ata janë lojtarët tanë dhe unë dua t’i kem në përgatitjet parasezonale. Më pas do të vendosim ne se çfarë do të ndodhë.

E ardhmja është shumë e lidhur me ta, me mënyrën se si integrohen dhe çfarë bëjnë, si dhe cilat janë idetë tona për ta dhe çfarë duan të arrijnë. Është e lidhur ngushtë me sanksionet ndaj nesh, situatën rreth klubit.

Është shumë herët për të parashikuar të ardhmen për ta, duke pasur parasysh rolin e të gjithë sezonit, por do të kthehen për përgatitjet parasezonale, kjo është e sigurt.

Trajneri gjerman dha më shumë detaje për pikëpamjen e tij mbi Brojën në janar: Armando po bëhet gjithnjë e më i mirë. Ai është një lojtar shumë unik, me disa pika të forta në lojën e tij. Shpejtësia e tij, është i fortë. Ai është një golashënues.

Gjithçka që bën Chelsea në sulm këtë verë do të varet nga shitja e lojtarëve, me sulmuesit e klubit që tashmë kanë ndarë minuta të kufizuara mes tyre. Blutë kanë luftuar edhe një herë për të krijuar një sulm të rrjedhshëm golash, gjë që ka qenë faktor në dështimin e tyre për titull kundër Manchester City dhe Liverpool.

Edhe pse Romelu Lukaku përflitet se do të rikthehet në Itali, ai po fokusohet në përfundimin e fuqishëm të sezonit 2021-2022 përpara bisedimeve për fundin e sezonit me Tuchel. Timo Werner po tërheq interesim nga Borussia Dortmund, ka dyshime edhe rreth Christian Pulisic, pasi babai i tij u ankua për moszgjedhjen e tij së fundi në rrjetet sociale”.