Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri ka folur sot në një bashkëbisedime me gazetarët për profilin e mundshëm të Presidentit të ri të vendit. Ai tha se duhet të jetë një njeri pa interesa politike dhe se pas krijimit të profilit do të vijë dhe emri.

Gjiknuri theksoi se gjetja e një profili të këtyre kontureve, pra pa ambicie të mëtejshme politike, krijohen kushtet për emrin.

“Në momentin që diskutojmë për profil dhe jemi të hapur për emra mund të jetë një emër që të ketë pëlqyeshmërinë e të dyja palëve. Kështu që nuk kemi pse të paragjykojmë, qoftë emra që vijnë nga opozita apo dhe emra që mund të vijnë nga maxhoranca.
Në momentin që ulemi dhe diskutojmë për një profil aty janë të gjitha mundësitë që të fillojmë të ngushtojmë dhe numrin e kandidatëve të cilët i përshtaten këtij profili. Kur ulesh për negociatë, ulesh pa paragjykime, por mbi disa parime.
Parimet janë të gjejmë një profil të asaj që ne e kemi thënë publikisht. Të jetë një njeri pa interesa të çastit politik, pa plane politike që të mos ta kontaminojë zyrën e Presidentit nga axhenda e tij politike siç ishte rasti i Ilir Metës që vërtetë u zgjodh se ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por momentin që vajti President dhe si u zhvillua dinamika e ngjarjeve në vend, ai u duk qartë që kishte plane për periudhën pas zyre dhe gjatë 5 viteve në Presidencë punoi si të imponohej si figurë e mundshme e lidershipit të ardhshëm opozitar gjë që po evidentohet përditë. Gjetja e një profili të këtyre kontureve, pra pa ambicie të mëtejshme politike sepse ajo është gjëja e parë që kontaminon zyrën, një zyrë ku mendohet të jesh mbi palët, në momentin që zhvishesh nga interesat politike të së ardhmes je në kushte shumë të mira. Siç ishte rasti i Presidentit Moisiu. Nuk do të thotë të mos ketë qenë politikan. Ka njerëz që kanë qenë politikanë, e kanë mbyllur karrierën e tyre në politikë dhe e kanë mbyllur interesin e tyre politik aktiv dhe janë në pozicione të favorshme për të qenë një balancë shumë e mirë e pushtetit dhe këtë presin shqiptarët.
Emri është një gjë që do të dalë pasi të biem dakord për profilin më të mirë të mundshëm të Presidentit që meritojnë shqiptarët”, deklaroi Gjiknuri.