Presidenti bullgar Rumen Radev ka deklaruar se Bullgari nuk do të pranojë asnjë ultimatum në bisedimet midis Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

Sofja vuri veton në fund të vitit 2020 për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke argumentuar se Shkupi nuk po zbaton një traktat dypalësh të nënshkruar në 2017.

“Është jashtëzakonisht e pavend dhe e kotë t’i jepen ultimatume Bullgarisë,” u tha Radev gazetarëve në Sofje të hënën, duke komentuar një deklaratë të ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani u shpreh se deri në qershor, pra deri në fund të presidencës franceze të BE-së ekziston mundësia e zhvillimit të marrëdhënieve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Radev këmbënguli se duhet të plotësohen kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Vetoja preku edhe fillimin e bisedimeve të BE-së me Shqipërinë, pasi dy vendet ndjekin një rrugë të përbashkët.

Presidenti bullgar foli gjithashtu për presion të jashtëm, siç e quajti ai ndaj Bullgarisë dhe akuzoi Maqedoninë e Veriut për “shkelje të të drejtave të njeriut” nga bullgarët etnikë, “shkelje të kritereve të Kopenhagës dhe gjuhë të urrejtjes”.

Sipas kritereve të Kopenhagës, shtetet anëtare duhet të plotësojnë disa kushte nëse duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian , siç është ekzistenca e institucioneve për ruajtjen e qeverisjes demokratike dhe të drejtave të njeriut.