Nga Ilir Yzeiri
Përtej folklorit dhe naivitetit që shfaqim kur është fjala për t’u treguar të huajve sesa kemi ndryshuar dhe se sa të mirë jemi, këtë radhë, «pushtimi» i Tiranës nga tifozët holandezë e romanë është një ngjarje e veçantë dhe si e tillë duhet trajtuar.
Ankthi i përjetshëm i shqiptarëve ka qenë rinjohja e tyre si vend europian, si një komb i lashtë që, pavarësisht se nuk ka homogjenitet fetar kristian, është një popull që ka jetuar historikisht në këta troje, fqinj me helenët dhe i mbuluar edhe nga kultura e lashtë greke e romake, ashtu sikundër është edhe pasardhës dhe vazhdues i ilirëve të cilët në perandorinë e tejshtrirë romake e drejtuan disa herë atë me mbretërit dhe gjeneralët e tyre.
Pa dashur të zhytemi në histori, Europa e ka pasur të vështirë të na identifikojë si pjesë të sajën edhe për shkak të fatit tonë historik, por edhe për shkak të rrugës që kemi ndjekur në rrymë të shekujve. Të paragjykuar ashtu si gjithë vendet e tjera të Ballkanit, të vetëpërjashtuar nga Perëndimi për shkak të zgjedhjes dhe vendit që na caktuan fuqitë e mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, vetëm pas rënies së komunizmit iu shfaq edhe njëherë Perëndimit, por këtë radhë në mënyrën më të shëmtuar.
Vendit stalinist iu shtua edhe klisheja dhe stereotipia e vendit të varfër. Pastaj, kur ne nisëm ta shpërdoronim lirinë dhe, kur në vend të demokracisë, nisëm të ndërtonim shtetin gangster me korrupsionin si motiv dhe ideal, prodhuam katastrofën e vitit 1997. Pas asaj katastrofe, vijoi emigracioni dhe kriminaliteti. Imazhit të keq të shqiptarit iu shtua edhe ajo e mafiozit dhe trafikantit të drogës e prostitucionit. Po ashtu, identifikimi në shumicë me fenë islame e bënë imazhin e vendit tonë një fotografi të zymtë.
Shqiptarët « buzëhollë » kur shajnë nga mëngjesi në darkë Shqipërinë e sotme i harrojnë këto që sapo përmenda dhe e kanë të vështirë të përmendin se Shqipëria sot është « pushtuar » nga Perëndimi sepse me një kurajo dhe energji të pashoqe është transformuar në një vend të zhvilluar, krejtësisht normal dhe europian. Disa vite më parë, UEFA ia pat dhënë këtë shans, pra e kishte nisur « pushtimin » perëndimor në Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar aty një finale të superkupës. Tani, pas disa vjetësh, u zgjodh Tirana dhe rrugët e saj sot janë të mbushura me tifozët e dy prej ekipeve më të njohura në Europë.
Sot ka pak rëndësi se çfarë mendojmë ne shqiptarët për veten tonë. Sot Tirana është një kryeqytet europian dhe lajmet me huliganë që përleshen nëpër rrugët e kryeqytetit, dikur ne i shihnim si kronika nga qytete të tjera të Europës, sot po na ndodhin në rrugët e Tiranës sonë. Dikur kore tifozësh që pushtonin ambiente publike me birra në dorë i shihnim si kronika të largëta të një realiteti që dukej sikur nuk na përkist ne, sot i shohim në rrugët e Tiranës sonë.
Ka pak rëndësi se çfarë mendojmë ne shqiptarët për veten tonë, e rëndësishme është se me këtë që po ndodh, Shqipëria, më në fund, pranohet si pjesë e shtëpisë europaine, e asaj shtëpie që ajo pretendonte me të drejtë se ishte e saja, sidomos atëherë kur tregonte vjetërsinë e gjuhës, të kombit e të kulturës. Problemi është se për t’i dërguar këto vlera në Europë, sot në vitin 2022, duhet të mbushësh rrugët edhe me huliganët e Fejnordit apo të Romës që Europa të shohë me sytë e saj që këtu jeton një popull i bukur, paqësor, me kulturë jetesë normale, me kushte të shkëlqyera hotelerie e ushqimi, me dekor kulturor e historik magjepsës ; aty ku mbaron Xhamia e Madhe nis Katedralja Katolike e pak më tej është Kisha e Madhe Ortodokse. Në rrugë jo vetëm që nuk sheh femra të mbuluara, por të gjithë habiten si dreqin janë aq të « zbuluara ».
Natyrisht, Europa e ka të vështirë ta pranojë atë që ajo e quan inferior si të barabartë me veten. Klishetë, stereotipitë me të cilat ajo gjykon Ballkanin dhe në veçanti edhe ne, shqiptarëve, do të vijojnë, vetëm se këtë radhë ato mund të jenë lajme mediesh të plakura, por jo ndjesi e atyre që patën rast këtë radhë ta shohin në shumicë Tiranën dhe rrugët e saj që, në një moment, u pushtuan edhe nga dhuna e huliganëve, ashtu si në një qytet europian çfarëdo.