Kur kanë mbetur vetëm 7 ditë e pak orë nga finalja e parë dhe historike e UEFA Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, përgatitjet duket se janë drejt fundit, teksa po kontrollohen të gjitha punët e bëra deri më tani.
Natyrisht do të jetë një event shumë impenjativ, duke filluar nga menaxhimi i tifozëve, te mbërritja e zyrtarëve të UEFA-s në Tiranë, akomodimi i tyre dhe emrave të njohur të futbollit që do të zbarkojnë në Tiranë për të ndjekur ndeshjen.
Fondamentale do të jetë siguria dhe menaxhimi i aktivitetit, si dhe ceremonia me ekspozimin e trofeut të kompeticionit në sheshin “Skënderbej”.
Ndeshja ka më pak se një javë, por përgatitjet kanë më shumë se një vit e gjysmë që kanë nisur, me trajnime intensive me të gjithë aktorët që do të jenë të përfshirë në organizimin e këtij eventi.
Duke filluar me drejtuesit e policisë së shtetit, me forcat e rendit, pjesën që do menaxhojë mobilitetin dhe transportin e deri te pjesa organizative e ndeshjes, në kohën kur pritet një fluks prej 90 mijë njerëzish në Tiranë.
TAKIMET ME KLUBET – Janë organizuar takime edhe me dy delegacionet e ekipeve respektive në 13 maj, kur erdhën për të parë çdo detaj që lidhet me organizimin e ndeshjes, ardhjen e ekipeve dhe elementët sportivë që përkojnë me ambientet e stadiumit.
MENAXHIMI I TIFOZERIVE – Kjo do të jetë edhe pika e vështirë, sepse është e paprecedentë për vendin tonë, pavarësisht organizimit të një serie trajnimesh me UEFA-n. Do jenë të angazhuar rreth 2500 forca policie që do jenë të vendosur në disa akse të ndryshme, që do të koordinohen me pjesën tjetër. Tifozeritë do të jenë larg njëri-tjetrit. Tifozeria e Romës do të jetë e vendosur tek Amfiteatri, te Parku i Liqenit, ndërsa tifozeria e Feyenoord do të qëndrojë te Pedonalja.
BILETAT E NDESHJES – Biletat janë ezauruar brenda dy orëve dhe kjo tregon edhe interesin që ka pasur publiku për ta ndjekur nga afër këtë ndeshje. Edhe çmimet e biletave kanë qenë të pranueshme, pasi kanë nisur nga 25 euro në 125 euro.
ZYRTARËT E UEFA-S DHE MBËRRITJA E TYRE NË TIRANË – Në Tiranë do të mbërrijnë personalitete nga UEFA, duke filluar nga Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, tek partnerët e sponsorët e UEFA-s, të cilët do akomodohen në hotel “Plaza” që është edhe selia qendrore e UEFA-s. Ndërsa stafi operacional i ndeshjes do të qëndrojë në një hotel tjetër. Ata pritet të vijnë në datën 23 dhe 24 dhe i gjithë kalimi i tyre do të bëhet nëpërmjet shërbimit VIP. Po ashtu, është konfirmuar edhe pjesa e të gjithë lehtësirave për të gjithë pjesën e ekipeve, ndërsa është gjetur asistenca e aeroportit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të lehtësuar ardhjen dhe largimin e tifozerive.
NDRYSHIMET NË STADIUM – Stadiumi në vetvete që kur është ndërtuar ka marrë kategorinë 4. Mund të priste një finale të këtyre përmasave pa asnjë lloj problem. E megjithatë modifikimi, në këtë rast, ishte i nevojshëm sa i përket medias. Janë bërë disa modifikime, sa i përket tribunës VIP, për t’i dhënë më shumë hapësirë medias. Janë ndërtuar disa shkallë, që do t’i mbeten stadiumit, për të bërë lidhjen me fushën, pa harruar ekranet gjigante: të gjitha janë paguar nga UEFA, për një kosto shpenzimi që varion nga 400 në 450 mijë euro, një investim që do t’i mbetet stadiumit, me përjashtim të ekraneve.
SIGURIA E NDESHJES DHE FORCAT E ANGAZHUARA – I gjithë menaxhimi i ndeshjes nga fillimi deri në fund kryhet nga UEFA, por duke i vënë ne në dispozicion burimet njerëzore. Brenda stadiumit do të jenë rreth 650 steëard-ë, të cilët janë shqiptarë dhe janë trajnuar në një seri trajnimesh për këtë nivel ndeshje. Është një ndeshje që është vlerësuar me nivelin e mesëm të rrezikut e megjithatë numri është i mjaftueshëm për të menaxhuar çdo lloj situate. Përveç kësaj, të pranishëm në këtë ndeshje do të jenë rreth 400 vullnetarë, të cilët do të jenë aty për të asistuar këdo që mund të ketë një problematikë, apo që ka nevojë të orientohet në stadium. Por edhe policia e shtetit që do të jetë jashtë stadiumit duke siguruar infrastrukturën, në mënyrë që tifozët të futen me të gjitha rregullat e parashikuara.
EMRA TË NJOHUR TË FUTBOLLIT NË TIRANË MË 25 MAJ – Emra të konfirmuar deri tani që do të vijnë në Tiranë për këtë finale janë ish-lojtari legjendar i Romës, Francesco Totti, një tjetër lojtar legjendar i Italisë, Di Biagio.
TROFEU I UEFA CONFERENCE LEAGUE – Trofeun i kompeticionit ka mbërritur në Tiranë, në selinë qëndrore ku do pozicionohet UEFA. Kupa do të ekspozohet në datën 24 maj, në ora 10:45, në një ceremoni aty ku do të jetë edhe Fan Festival e ku do të ketë një sërë aktivitetesh të tjerë. Trofeu do të vendoset në një skenë të përcaktuar, ku pas ceremonisë, njerëzit mund të bëjnë foto dhe video. Kupa do të qëndrojë për disa orë dhe do të ruhet me forca sigurie.