Marin Le Pen nuk do të kandidojë më për zgjedhjet presidenciale franceze, përveç se në ndonjë rast të jashtëzakonshëm. Në një intervistë për Le Figaro ajo u shpreh se francezët e kishin zgjedhur atë si lideren e opozitës.
Le Pen theksoi se tre gara presidenciale përbëjnë një rezultat në vetvete. Një proces që e ka lejuar të rrisë idetë e saj nga 18% në 42%. Në një periudhë 10 vjeçare ky rezultat është domethënës dhe se shpreson të shohë një elitë të re në vend deri në 2027-ën.
Ajo shtoi se pavarësisht humbjes dhe gënjeshtrave të rivalit të saj Emanuel Macron, francezët e kanë mbështetur ndjeshëm. Ndërsa për zgjedhjet e përgjithshme të muajit qershor për rinovimin e parlamentit francez, Le Pen ka objektiva të qarta: të paktën 60 deputetë të opozitës.
Presidenti Macron sipas Le Pen nuk mund të thotë se çdo gjë ndryshon dhe të quajë normale që partia më e madhe opozitare në pesë vitet e fundit të ketë vetëm 6 deputetë. Ajo nuk preferoi të japë një datë të saktë për zgjedhjet brenda partisë nga ku do të dalë lideri i ri i saj. Por premtoi se gjërat do të ndryshojnë.
Duke thënë se e ka një emër në mendje për pasardhësin e saj, Le Pen akuzoi Macron se dhe në mandatin e dytë presidencial ka zgjedhur të njëjtin ekip të vjetër bashkëpunëtorësh.