Kreu i Grupit Parlametar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u ul sot në tryezën e Konferencën e Kryetarëve, pa dakordësuar me grupin e deputetëve më herët. Me anë të një reagimi, Alibeaj bëri një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi në këtë mbledhje, teksa tha se mbledhja e grupit për të diskutuar dhe marrë vendimin mbi ecurinë e këtij procesi dhe rolin e PD në zgjedhjen e Presidentit do të bëhet në ditët në vijim, por ende nuk ka një datë.
“Sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve për procesin e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. Me kërkesën e përfaqësueseve të PD në Konferencë, mbledhja u zhvillua në prezencë të medias, në funksion të transparencës së plotë për publikun.
Për ti dhënë kohë një diskutimi të plotë dhe shterues mbi këtë çështje grupit parlamentar dhe për të diskutuar dhe marrë vendimet bashkarisht, kerkuam dhe u pranua që procedura zë shtyhet për në datën 16 maj.
Gjatë ditëve në vijim, do të zhvillojmë mbledhjen e grupit për të diskutuar dhe marrë vendimin mbi ecurinë e këtij procesi dhe rolin e PD në zgjedhjen e Presidentit. Ju përshëndes”, shkruan Alibeaj.