Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja iu përgjigj sot ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me akuzat e tij për udhëzimin e Këshillit të Ministrave për heqjen e rekurseve në Gjykatën e Lartë.

Duke replikuar me Berishën në Kuvend, Manja u shpreh se “jam i bindur sa herë flet Berisha për të varfrit dhe të përndjekurit politikë se merr askush seriozisht sepse ai ndryshe flet dhe ndryshe vepron”.

“Të njëjtën gjë bëri dhe me udhëzimin e Këshillit të Ministrave për rekurset në Gjykatën e Lartë. Çfarë është udhëzimi i Këshillit të Ministrave? Orienton të gjithë administratën shtetërore në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave të heqin dorë nga rekurset, ende të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë kur vlera e disponimit të padisë nga ana e gjykatës nuk e kalon 40-fishin e pagës minimale. Do hiqet dorë nga ato rekurse kur shteti i ka humbur gjyqet në të dy shkallët e gjykimit, ku përfituesit nga këto vendime në vlerë leku janë jo më shumë se 40-fishi i pagës minimale. Dhe nuk bëhet fjalë për të hequr dorë nga rekurse që kanë ndikim të madh ekonomik. Hiqet dorë nga rekurset që kanë të bëjnë me njohje, vërtetim vjetërsie në punë, njohje e të dhënave të dokumenteve librezë punë etj”, tha ai.

Duke iu drejtuar Berishës, Manja shton se “nuk mund të flasësh për të varfrit, pensionistë të përndjekurit politik dhe ish-pronarët, kur del e dezinformon opinion publik me një udhëzim të Këshillit të Ministrave sepse e ke zakon kur djeg diçka ke qejf të djegësh jorganin për një plesht se Shqipërinë e ke dhënë prova se e ke djegur sa herë ke dashur”.

Berisha tha se “rekursin e vendosët në një mekanizëm të vërtetë plaçkitjeje. Të përzgjidhni ata të cilët nuk do shkojnë në Gjykatë të Lartë kundrejt shumave të majme”.