Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal ka bërë me dije se pushtimi rus i vendit të tij ka shkatërruar më shumë se 25,000 km rrugë, disa qindra ura dhe 12 aeroporte.
Duke folur për BBC, Shmyhal tha se më shumë se 100 institucione arsimore, mbi 500 objekte mjekësore dhe 200 fabrika janë gjithashtu të rrënuara ose të dëmtuara.
“Rreth 35% e ekonomisë aktualisht nuk funksionon. Më shumë se 300,000 km katrorë tokë ishte minuar ose kontaminuar me bomba”, tha ai.
Kryeministri Shmyhal, vlerësoi se 30-50% e PBB-së së vendit ka humbur, ndërsa në lidhje me deficiti mujor buxhetor, ai është 5 miliardë dollarë.
Sipas vlerësimeve të ndryshme të bëra publike edhe më parë, dëmi i drejtpërdrejtë i agresionit rus në Ukrainë në infrastrukturën dhe ekonominë është rreth 600 miliardë dollarë.
Shmyhal tha se qeveria ka ndarë më shumë se 50 miliardë dollarë për rindërtim të menjëhershëm, aty ku ishte e mundur.
“Faza tjetër do të jetë rivendosja e infrastrukturës kryesore, si furnizimet me energji dhe ujë, dhe rindërtimi i urave dhe rrugëve. Ndërsa faza e tretë do të jetë rindërtimi i madh i vendit tonë. Ne nuk duam vetëm të restaurojmë tullat dhe betonin. Ne duam të ndërtojmë një shtet të ri”, ka deklaruar ai.