I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, kryebashkiaku Erion Veliaj u pyet edhe për përplasjen me Presidentin e FSHF-së, Armando Duka. Veliaj tha se Duka nuk është armiku i tij, por beteja për demokraci në Federatën Shqiptare të Futbollit vazhdon.

“Duka nuk është armiku im, por në mandatin e gjashtë, a mund të bëhen disa gjëra më mirë? Pasi të mbarojë gëzimi që solli ndeshja e Conference League, a janë gjërat më mirë në futbollin tonë? A i ka bërë pyetje vetes një njeri, se si ka mundësi që avokati i Dukës dhe avokati i personit që supozohet se i dëmtoi shtëpinë, është i njëjti person? Pra, si mund të ketë edhe viktima, edhe dhunuesi të njëjtin avokat? Ai nuk është armiku im, por beteja për emancipim vazhdon. Jam i kënaqur që fitova betejën në Tiranë. Një nga hapësirat këtu te pishinat do të jetë për Shoqatën e Futbollit të Tiranës. Unë doja të jepja një mesazh, se në qytetin që unë drejtoj, nuk vjedh njeri zgjedhje”, theksoi Veliaj.

Më tej kreu i Bashkisë nënvizoi se një betejë të tillë do ta bënte për çdo rast ku ka padrejtësi dhe vidhen zgjedhjet.

“Unë betejën për Tiranën e fitova, gjykata më dha të drejtë. Këtë do ta bëja edhe nëse do vidheshin zgjedhje në Federatën e Shahut apo në Komitetin Olimpik. Mund të jetë shoqata e paraplegjikëve, mund të jetë Shoqata e Transportit Publik, mund të jetë shoqata e taksive, por unë dua që sa kohë e drejtoj unë këtë qytet, në demokracinë e këtij qyteti, zgjedhjet të mos vidhen”, tha ai.