Në vigjilje të finales së sotme të UEFA Conference League, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u takua me Drejtorin Ekzekutiv të Romës, Pietro Berardi, me të cilin bisedoi për një sërë nismash komunitare, që ekipi Italian po zhvillon me fëmijët në qendra sociale dhe terrene sportive.
Duke e cilësuar Tiranën një qytet të bukur dhe të pastër, Drejtori ekzekutiv i Romës, Pietro Berardi, vlerësoi organizimin dhe atmosferën e krijuar në kryeqytet. “Dua të falenderoj kryebashkiakun e Tiranës, me këtë qytet të bukur. Atmosfera është fantastike, shoh njerëz të lumtur, qyteti është shumë i pastër, e gjitha e organizuar shumë mirë. Ka shumë entuziazëm dhe passion, por duhen respektuar të gjithë. Faleminderit Tirana, faleminderit kryetar dhe fitoftë më i miri”, tha Berardi.
Kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen ekipit të Romës për aktivitetet e shumta me karakter social, që ka ndërmarrë këto ditë në Tiranë. “Jam shumë mirënjohës që pres drejtorin e Romës, me të gjithë skuadrën e “Roma cares”, me të cilët kemi bërë shumë aktivitete me fëmijët nëpër shkolla, qendra sociale dhe terrenet sportive të Bashkisë së Tiranës. Po si tifoz i Romës sot jam shumë i lumtur që skuadra është këtu, që Mourinho është këtu, dhe që të gjithë tifozët e Romës janë këtu”, tha ai.
Teksa i siguroi se mikpritja nuk do të mungojë, Veliaj kërkoi bashkëpunimin e tifozerive që të sillen me fairplay. “Ne do të ofrojmë të gjithë mikpritjen tonë këtu dhe presim gjithashtu reciprocitet, që të dy tifozeritë të sillen me fairplay. Sigurisht, të fitojë më i miri, por mbi të gjitha të fitojë miqësia mes popujve, mes qyteteve tona. Është shumë e rëndësishme që të kemi emocione, të kemi tifozeri, të kemi kompeticion, por mbi të gjitha të ruajmë qytetin, dhe ne do të ofrojmë mikpritjen tonë maksimale nga zemra jonë”, nënvizoi Veliaj.