Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Presidentin e Federates Botërore të Sportit Universitar, Leonz Eder, me të cilin bisedoi për rritjen e bashkëpunimit në përfshirjen e studentëve në disiplina të ndryshme sportive, por edhe i dhuroi “Kullën e Sahatit”. Veliaj tha se një student i mirë nuk është vetëm ai që del me 10-ta, por dikush që di të luajë në skuadër, që aktivizohet me sport.
“Një student apo një nxënës i mirë nuk është vetëm ai që del me 10-ta, por ai që di të luajë në skuadër, që aktivizohet në një disiplinë të caktuar, në sport, ai që kupton se jeta ka edhe humbje edhe fitore. Ne kemi studentë të shkëlqyer, të cilët futen në karrierë në politikë, por ama s’kanë mësuar kurrë që jeta ka humbje dhe humbja nuk është tragjike, nuk zgjat përgjithmonë – se jeta ka edhe fitore, por fitorja nuk është moment arrogance dhe as fitorja nuk zgjat gjithmonë. Jeta është plot me humbje dhe fitore, por kush e gjen mesataren e artë mes humbjeve dhe fitoreve di të jetë edhe një qytetar i mirë. Ndaj, e shikoj dobinë e Federatës sonë Shqiptare të Sportit Universitar si një fidanishte që kultivon karakterin, jo vetëm muskuj, jo vetëm rekorde, jo vetëm arritjet kronometrike, por karakterin e çunave dhe gocave tanë në universitet”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se puna në skuadër është cilësi dhe fëmijët duhet të rriten me këtë frymë bashkëpunimi.
“Kemi një fillim të mirë, por është vetëm gjysma e punës. Gjysma tjetër është të shtojmë sa më shumë disiplina që përfshihen në Federatën tonë të Sportit Universitar, sa më shumë universitete, jo vetëm publike, dhe jo vetëm në Tiranë. Vetëm atëherë mund të japim një diplomë universitare që, jo vetëm certifikon dijet shkencore që ka marrë një student, por certifikon edhe karakterin e tij. Të qënit në një skuadër sportive për çdo universitet në perëndim, po kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Europë, është një nga arritjet më të mëdha në CV. Sot, qoftë edhe në politikë, dikush që kandidon për deputet në Europë ose për kongresmen në Amerikë, e vendos në CV e tij që ka qenë lojtar i një skuadre universitare sepse tregon se ka qenë më shumë se sa një student i mirë, ka qenë edhe një qytetar i mirë dhe kontribues në lojën në ekip. Për këta çuna dhe goca kemi nevojë sot!”, tha Veliaj.
Presidenti i Federates Botërore të Sportit Universitar, Leonz Eder, tha se është shumë e rëndësishme që edukimi të kombinohet me kulturën e sportit. “Unë besoj se ADN-ja e popullit shqiptar është në sport. Ju uroj shumë fat dhe jam shumë krenar dhe i lumtur që shqiptarët do të kontribuojnë edhe më shumë në të ardhmen për federatën”, tha ai.