Një ndryshim ka ndodhur në aplikacionin WhatsApp. Mark Zuckerberg ka lajmëruar me anë të një postimi në Facebook, se në aplikacionin WhatsApp, tashmë mundësohen edhe “reagimet e shpejta”. Bëhet fjalë për emoji të cilat vijnë si reagim ndaj një mesazhi, pak a shumë në të njëjtin format që aplikon edhe Facebook në mesazhet private.
Veçoria e reagimeve të shpejta funksionon duke shtypur gjatë mesazhin dhe më pas mund të zgjidhni emoji-t sipas temës së mesazhit dhe të reagoni në çast. Kjo bëhet për efekt kursimi të kohës. Për shembull, nëse duam të qeshim, ne përgjithësisht shkruajmë “hahaha”, por me emoji-t me reagime të shpejta, detyra bëhet e thjeshtë dhe vetëm me një shtypje reagon ndaj mesazhit.
Në fazën fillestare, do të ketë pak emoji që do të përdoren në reagimet e shpejta, si, dashuri, fytyrë e qeshur, surprizë, trishtim dhe faleminderit, megjithëse në të ardhmen të gjitha emoji-të do të jenë të disponueshëm.