Startojnë zgjedhjet e reja në strukturat e Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama ka folur sot në takimin e Këshillit koordinues të qarkut Tiranë duke theksuar se qëllimi është që ky proces të jetë tërësisht i hapur dhe tërësisht konkurrues.
Ai deklaroi se një shqetësim i cili duhet adresuar nga i gjithë lidershipi i partisë në të gjithë territorin sepse nuk duhet lënë në asnjë mënyrë që kryetarët e partisë në territor të jenë persona të papolitizuar ashtu siç duhet.
E startojmë këtë proces me Këshillin koordinues të qarkut të Tiranës, besoj edhe për të shfrytëzuar këtë mundësi për të adresuar disa fjalë lidhur me procesin për të gjithë familjen tonë politikë në të gjithë Shqipërinë sepse është një proces i cili është përmbajtësisht i ri dhe është e domosdoshme që ne të bëjmë gjithë përpjekjen që askush të mos ketë drojën të përfshihet nëse dëshiron të përfshihet për shkak të paragjykimit se procesi mund të mos jetë tërësisht i hapur dhe tërësisht konkurrues. Qëllimi është ky që procesi të jetë tërësisht i hapur dhe tërësisht konkurrues. Por nga e thëna në të bërë edhe këtu ka në mes një det të tërë sepse e vërteta është se kemi pasur në të kaluarën më shumë se një rast kur pastaj proceset janë mbyllur dhe kanë degraduar në riciklimin e së njëjtës gjë, posaçërisht në nivelin e organizatave. Dhe për këtë arsye në Kongresin e partisë ne morëm një vendim duke ndjekur një diskutim të lindur në Asamble dhe pastaj të bërë dhe në Kongres që ta fillojmë procesin me zgjedhjen e kryetarëve në 61 bashkitë dhe pastaj në të gjitha njësitë administrative, për ta pasur këtë si fazën e parë dhe më pas në të gjitha ato organizata ku zgjedhjet nuk janë zhvilluar apo ku zgjedhjet janë zhvilluar pa përmbushur kriteret e vendosura për përmbajtjen, përbërjen e organizatës dhe për të gjitha ato që janë parashikuar nga vendimet e Asamblesë Kombëtare”, tha Rama.
Ai theksoi se arsyeja themelore sidoqoftë për ta zhvilluar këtë proces nuk është thjesht e natyrës organizative, por është në radhë të parë e natyrës politike.
“E kemi bërë këtë diskutim shpesh me njeri-tjetrin dhe mbase unë do të bie edhe njëherë në përsëritje, por për mua është një shqetësim i cili duhet adresuar nga i gjithë lidershipi i partisë në të gjithë territorin sepse nuk duhet lënë në asnjë mënyrë që kryetarët e partisë në territor të jenë persona të papolitizuar ashtu siç duhet nëse mund ta them me këto fjalë. Persona, puna e të cilëve edhe për shkak të të qenit të forcës tonë politike në qeveri, qoftë në qendër, qoftë në nivelin vendor fokusohen thuajse tërësisht në çështje të natyrës administrative dhe pothuajse vendin kryesor e zë trajtimi i ankesave të njërit e të tjetrit, për ‘jam në punë’, ‘nuk jam në punë’, ‘kush u fut në punë’ e kështu me radhë. Kjo është pasojë e një periudhe shumë të gjatë kohe që ne e kemi trashëguar, nuk e kemi krijuar, por e cila duhet adresuar pasi sigurisht PS nuk është absolutisht në mundësinë që ta lërë këtë inerci të vazhdojë. Edhe pse për hir të së vërtetës në një pjesë të madhe ne kemi arritur ta garantojmë qëndrueshmërinë e administratës apo të disa sektorëve kyçë të jetës së ekzekutivit duke e larguar partinë nga influenca në vendimmarrje. Influencë që e ka pasur absolute dhe me një kapacitet dëmtues të jashtëzakonshëm deri në kohën kur ne morëm detyrën dhe për hir të së vërtetës e ka pasur dhe pasi ne kemi marrë detyrën për shkak të aleatit që kishim në dispozicion dhe për faktin që duke parë rrushi rrushin piqej. Sidoqoftë ne e kemi larguar nga duart e influencës së partisë në policinë e Shtetit, kemi larguar gjithë trupën e mësuesve, kemi kaluar trupën e infermierëve sepse për trupën e mjekëve gjithsesi nuk ka qenë një sfidë vërtetë e njëjtë si me rastet e tjera dhe patjetër kemi respektuar më shumë se çdokush tjetër në të kaluarën të gjithë ngrehinën e administratës publike.
Por sigurisht prej disa vitesh kjo është një histori e tejkaluar dhe pavarësisht rasteve sporadike tek-tuk jemi në një situatë qëndrueshmërie ku faktikisht ndikimi i pamundësisë për të ndërhyrë dhe për të vazhduar të njëjtin avaz e bën dhe më të pakuptimtë dhe më të kotë dhe më dëmtues rolin e atyre kryetarëve të partisë që u ka mbetur ora po atje”, deklaroi ai.