Gjeneral Bajram Begaj tashmë që është kandidat për President Republike ka depozituar te ministri i mbrojtjes dhe të Kryeministri kërkesën për dorëheqjen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për shkak se ligji e kërkon dhe detyron që ushtarakët s’mund të zgjidhen në pozicione të rëndësishme politike.
Por kjo mund të krijojë një ngërç me Presidentin e Republikës. Dekretimi i lirimit nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë duhet bërë nga Meta. Duhet thënë se ai sot ndodhet në Stamboll.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha në mbledhjen e grupit parlamentar se shpreson që Meta të mos i krijojë probleme me dekretimin por gjithsesi së bashku me Komisionin e Ligjeve i kanë marrë masat.
“Besoj se kjo procedurë do të përfshijë brenda orëve në vijim edhe Presidentin aktual që do të bëjë lirimin dhe kjo nuk do të jetë mendoj beteja e radhës. Por kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin”, tha Balla.
Në Kushtetutën e Republikës thuhet se Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie. “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës. Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.