Edhe deputeti Gazment Bardhi, është kundër protestave të organizuara nga Sali Berisha. Bardhi në një prononcim për mediat para se të hynte në seancë plenar ka ironizuar protestën e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha. Sipas Bardhit ka gjithmonë një arsye për të protestuar por shtoi se ai qëndron në krah të qytetarëve dhe jo të non gratave.
Nga ana tjetër protestës do i bashkohen edhe Ina Zhupa me Xhelal Mziun. “Më datë 7 korrik, çdo opozitar, çdo qytetar i pakënaqur nga kjo qeverisje, çdo socialist i ndershëm, çdo njeri që i ka ardhur deri në fyt duke i vënë shkelmin kjo lloj qeverisjeje duhet të vijë në shesh dhe të protestojë.
Detyra minimale e çdo deputeti, i cili është përfaqësuesi i popullit që ka marrë votat opozitare është që të jetë organizator dhe pjesëmarrës në protestë. Deputetët në qarqet e tyre përfaqësojnë ata qytetarë opozitarë që i kanë zgjedhur dhe është detyra e tyre funksionale si deputet për të qenë në grupet e punës.
Ne e kemi nisur punën 4 deputetët e Vlorës kemi qenë për t’iu bashkuar protestës dhe këtu nuk kemi qenë të ndarë. Në bindjen tonë ne mund të mbështesim njërin apo tjetrin, por kur vjen puna për të mbështetur qytetarët ne jemi të bashkuar”, tha Ina Zhupa
“Nuk është se kemi dalë në terren, por e rëndësishme është që në 7 korrik është një betejë për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm për demokratët. Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare se sa sot, kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit.
Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë dhe vendin e 7-të në botë për sa I përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve kundër kësaj qeveria e cila nuk duhet të ishte në pushtet për shkak të vjedhjes së votave më 25 prill. Edhe ata socialist të ndershëm që e kanë votuar janë bërë pishman për shkak të situatës ekonomike”, tha Mziu.
Deputetja Flutura Açka tha se nuk do të jetë fizikisht në Tiranë në datë 7 korrik, por theksoi se protestën e saj e ka bërë çdo ditë me fjalë. “Unë nuk jam personalisht por çdo qytetar është i lirë të protestojë.
Qytetari është i lirë të protestojë pastaj unë kam qenë prej 30 vitesh në të gjitha protestat jo vetëm të PD e opozitës por në protestat e shoqërisë civile, është në natyrën time të protestoj. Pastaj nuk është e thënë jam apo s’jam fizikisht, protestat e mia i kam bërë me fjalë çdo ditë” tha ajo.