Derisa ushtria ruse vazhdon bombardimin e qyteteve të Ukrainës – me intensitet të shtuar në lindje – presidenti rus, Vladimir Putin, ka gjetur kohë në agjendën e ngjeshur të luftës të takojë udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Dy zyrtarët janë takuar më 17 qershor, në margjina të një forumi në Shën Petersburg.
Putin ka thënë në takim se Rusia e vlerëson faktin që Republika Sërpska nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus.
“Fatkeqësisht, në rrethanat aktuale i kemi disa vështirësi për shkak të sanksioneve, por ne e dimë shumë mirë qëndrimin tuaj dhe e vlerësojmë shumë”, ka thënë Putin.
Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë sanksionuar Rusinë, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe atë diplomatik, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ushtria ruse ka nisur sulmet kundër fqinjit të saj më 24 shkurt.
Në të njëjtën ditë ka dalë edhe lajmi se misioni paqeruajtës i Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR, do të rrisë praninë nga 600 ushtarë në 1,100. EUFOR ka thënë përmes një deklarate se “përkeqësimi i situatës së sigurisë në rrafshin ndërkombëtar ka potencial për të përhapur destabilitet në Bosnje e Hercegovinë”.
“Pozicionimi i këtyre forcave është një masë paraprake për forcimin e stabilitetit në këtë vend”, ka thënë EUFOR.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përmendur në mënyrë eksplicite Bosnjën në disa diskutime për kërcënimet e mundshme. Në një adresim në fund të majit, Stoltenberg ka thënë se NATO-ja do ta ndihmojë Bosnjën në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
“Qëllimi është të parandalohet një jostabilitet i ri, një luftë e re”, ka thënë ai.
Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, gjatë qëndrimit në Sarajevë, më 26 maj, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.
“Historia tragjike e këtij vendi na kujton atë që ndodh kur ne dështojmë të ngrihemi kundër agresionit… Ato që shohim sot në këtë vend, janë shenjat e ndërhyrjes ruse, të cilat rrezikojnë të na zhysin sërish në ato ditë të errëta. Kjo duhet të ndalet”, ka thënë Truss.
Bosnje e Hercegovina, qe pas përfundimit të luftës më 1995, është e ndarë në vija etnike: në Federatën Myslimane-Kroate në njërën anë dhe Republikën Sërpska, të banuar me shumicë serbe, në anën tjetër. Bashkëpunimi i tyre kurrë nuk ka qenë më i miri.
Udhëheqësi i serbëve, Dodik, që është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e territorit. Që nga vjeshta, ky entitet ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Mbi 200 ligje dhe akte ligjore janë pezulluar. Entiteti do, po ashtu, që të krijojë ushtrinë e tij dhe të pushojë së njohuri juridiksionin e gjyqësorit kombëtar dhe të autoritetit tatimor.
Për këtë plan, analistët, por edhe disa zyrtarë thonë se Dodik ka bekimin e Rusisë. Dodik, i cili nuk e fsheh admirimin e tij për Putinin, ka thënë në fillim të qershorit se plani i tij për ndarjen e Republikës Sërpska është shtyrë për gjashtë muaj, për shkak të luftës në Ukrainë. Pjesën tjetër të Bosnjës, Dodik e quan “eksperiment të komunitetit ndërkombëtar” dhe “shtet të dështuar”.
Harun Karçiq, analist politik nga Sarajeva, thotë për Radio Evropa e Lirë se përparimi i ngadalshëm i ushtrisë ruse në Ukrainë, është arsyeja e stepjes së Dodikut nga plani i ndarjes – së paku tash për tash.
“Sikur Kievi të kishte rënë dhe Rusia ta kishte marrë kontrollin e Ukrainës, ne këtu do të ishim në luftë tashmë. Unë jam i bindur se Dodik do ta kishte shpallur pavarësinë [e Republikës Sërpska] dhe Bosnja do të ishte përfshirë nga kaosi”, thotë Karçiq.
Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se, nëse Putin mbështetet për muri në Ukrainë, ai do të kërkojë vende të tjera për të provuar fitoren. Dhe një prej tyre mund të jetë Bosnja, ka thënë senatori demokrat, Chris Murphy, pas një vizite në Ballkan në fund të prillit.
Harun Karçiq, analisti nga Bosnja, shpjegon se përse ky vend mund të jetë domethënës për Rusinë:
“Bosnje e Hercegovina është interesante për Rusinë, sepse është e ndarë thellësisht. Republika Sërpska, e cila përbën 49 për qind të territorit, udhëhiqet nga pro-rusët; ndërsa pjesa tjetër [Federata Myslimane-Kroate] dëshiron fuqishëm t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Por, në interesin e Rusisë është që të parandalojë zgjerimin e aleancës së NATO-s dhe të BE-së dhe për këtë do t’i shfrytëzojë lojtarët dhe surrogatët e saj në Bosnje”.
Bosnje e Hercegovina i është bashkuar Partneritetit të NATO-s për Paqe në vitin 2006. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, zyrtarët në Sarajevë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Ambasadori rus në Bosnje, Igor Kalabukhov, ka thënë se nëse Bosnja shkon në këtë drejtim, Rusia do të përgjigjet. Kalabukhov ka përmendur shembullin e Ukrainës, e cila ka aspiruar po ashtu anëtarësimin në NATO. Deklarata e tij është cilësuar si kërcënim i hapur edhe nga zyrtarët në Sarajevë, edhe jashtë saj.
I pyetur nëse paqja në Bosnje është në rrezik, Karçiq thotë se situata ka qenë më serioze në janar, kur Dodik ka filluar të jetësojë planin për ndarje dhe kur lufta në Ukrainë ka qenë pa nisur.
“Pas rritjes së numrit të ushtarëve të EUFOR-it, situata, në njëfarë mënyre, është vënë nën kontroll. Por, unë mendoj se EUFOR-i duhet ta rrisë edhe më shumë praninë – në së paku 5-6 mijë ushtarë – në mënyrë që të ketë kapacitet veprimi nëse Republika Sërpska merr hapa konkretë drejt ndarjes. Nuk duhet harruar se Republika Sërpska ka forca të armatosura policore, që brenda natës mund të shndërrohen në formacion ushtarak”, thotë Karçiq.
Toby Vogel, njohës i Ballkanit Perëndimor me seli në Bruksel, thotë se nuk beson se Rusia mund të ndezë konflikt në Bosnje, por, në të njëjtën kohë, ai tregon se nuk ka besuar se Rusia do të pushtojë Ukrainën.
“Ajo që mendoj se është rrezik i vërtetë, është se Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë Bosnjën edhe më shumë, përmes ndikimit te Millorad Dodik, lideri serb, dhe te Dragan Çoviq, lideri i partisë nacionaliste kroate. Në këtë mënyrë, pastaj, do të përpiqet ta turpërojë Perëndimin – në një vend ku BE-ja, NATO-ja, amerikanët, Britania, kanë investuar bashkërisht ndoshta më shumë se kudo tjetër”.
“Pra, nëse Rusia arrin ta prishë situatën atje, një gjë e tillë do të dërgonte një sinjal shumë të fortë – se Evropa nuk mund të mbajë rendin në oborrin e saj. Unë mendoj se kërcënimi rus është real, dhe jo vetëm për Bosnje e Hercegovinën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, thotë Vogel.
Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s. Kosova ka prani të NATO-s në territorin e saj, ndërsa Serbia deklarohet neutrale ushtarakisht.
Asnjëri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Ato ndodhen në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova dhe Bosnja janë më së largu. Vendet e BE-së janë të ndara sa u përket hapave që duhen ndërmarrë për përafrimin e tyre. Disa, si Franca dhe Holanda, hezitojnë për arsye të ndryshme, të tjera, si Austria, thonë se gjashtë vendet duhet të integrohen sa më parë që është e mundur.
“Kjo do të ishte vetëmbrojtje” për BE-në, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg. Sipas tij, nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, ndikimet në Evropë do të ishin shkatërruese.
Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë pas kthimit nga Rusia se ka marrë ftesë të re nga Putini për vizitë në shtator. Vizita, nëse ndodh, do të jetë një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë. Nëse do të ketë ndonjë ndikim ose jo, mbetet të shihet.
Në dy raste, më 2014 dhe 2018, Dodik dhe Putin janë takuar pak para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje. Herën e parë, Dodik ka fituar garën për kryetar të entitetit Republika Sërpska, ndërsa herën e dytë ka fituar më së shumti vota për t’u bërë anëtar i Presidencës.
SHBA-ja, në muajin janar, e ka sanksionuar Dodikun, pasi e ka akuzuar për kërcënim të satibilitetit të rajonit./ REL/