Nga Jakin Marena
Po kalon me heshtje, mohime, “kyçje” dëshmish e akuza deklarata e një nate më parë e gazetarit Artan Hoxha, i cili në një ndër emisionet televizive më të njohura në vend deklaroi se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar se vrasjen e vëllait të një deputeti, e ka porositur presidenti aktual Ilir Meta.
Dhe si për ta përmbyllur në mënyrë konkrete deklaratën e tij, gazetari investigativ shqiptar tha se kjo dëshmi e të penduarit të drejtësisë, duhet të vërtetohet nga Prokuroria e Posçme, pasi ngjarja ka ndodhur në vitin 2017, teksa ka përfunduar fushata elektorale dhe viktimë ishte Aleksandër Ndoka, vëllai i ish deputetit socialist Arben Ndoka.
Por dhe vetë viktima ishte i involvuar në politikë, pasi kryesonte këshillin e qarkut të Lezhës, ku si për habi LSI ka pasur interesat politike, pasi gati në të gjitha zgjedhjet ka nxjerrë fitues një deputet, përfshirë këtu dhe kryetaren aktuale Monika Kryemadhi në vitin 2013.
“Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS. Nuredini thotë se personat që kanë lidhje me këtë ngjarje kam njohje. Ai thotë se ka folur me një person e ai më ka thënë kështu. Unë nuk e besoj, por po të ketë ndodhur kjo është e rëndë. Fakt është se Aleksandër Ndoka është vrarë dhe ne nuk e dimë se kush e ka vrarë. Ai u vra në derën e shtëpisë. Ai ka folur dhe për politikanë të tjerë. Prokuroria duhet ta verifikojë”, plotësoi deklaratën e tij gazetari Hoxha.
Eshtë një deklaratë e bazuar në dëshminë e një të penduarit të drejtësisë si Nuredin Dumani, aq shumë i lakuar si vrasës me pagesë që është “zbërthyer” dhe ka rrëfyer gjithçka për porositësit e vrasjeve të ndryshme por dhe të bujshme në vend, sidomos në aksin Tiranë-Ebasan-Fier.
Arrestimi i tij në gjendje të plagosur u cilësua si një sukses i SPAK-ut në luftën për goditjen e krimit të organizuar. Pavarësisht faktit Dumani mendohet se ishte nxjerrë në pritë për t’u vrarë dhe për këtë arsye, teksa ka pasur dyshime të forta se shoku i tij i ngushtë Henrik Hoxha e kishte tradhëtuar, ai telefonoi vetë policinë duke u vetëdorëzuar, madje dhe duke u bërë i penduar i drejtësisë, me zotimin se do të zbardhë dosje të mëdha të krimit.
Madje SPAK lejoi dhe rrjedhje informacioni për dosjen e dëshmisë së të penduarve të drejtësisë, mes të cilëve Dumani, duke u publikuar me detaje edhe elementë të panevojshëm për dosjen hetimore.
Teksa u botua e “plotë” në media dëshmia e Nuredin Dumanit për krimet e kryera dhe disa emra porositësish të vrasjeve me pagesë, kishte një ‘kujdes’ që të përmendej dhe një prokuror i SPAK për t’u paraqitur si një njeri i Dumanit, tashmë po vëmë re se ishin lënë shumë elementë krucialë jashtë “axhendës” së botimit. Madje dhe të zbardhjes së dëshmisë së Dumanit, ndoshta të “parëndësishme” për prokurorët e SPAK.
Një fakt të tillë e bëri me dije gazetari Hoxha një natë më parë, teksa tha se Dumani ka rrëfyer dhe vrasjet me pagesë të urdhëruara nga Presidenti aktual i Republikës Ilir Meta, dhe çuditërisht një element i tillë i kishte “shpëtuar” dhe burimit të sigurtë të SPAK për mediat që zbardhi dosjen e dëshmisë së Dumanit por dhe vetë medias, e cila në pjesën më të madhe të saj po hesht.
Madje po hesht në mënyrë “heroike” dhe sot dhe gjithë ditën, ndërkohë që për pjesën tjetër të dosjes, mediat kanë disa javë që mbahen me klikime, madje vazhdojnë dhe sot.
Nuk është e thënë që të besohet pa korrekturë gjithçka që thotë një i penduar i drejtësisë, vrasësi me pagesë Nuredin Dumani, qoftë për Ilir Metën qoftë dhe për njerëzit e krimit që ka përmendur si “pagatorë” të këtyre vrasjeve. Aspak. Ato duhen hetuar, duhen kryqëzuar dëshmitë, duhen verifikuar një për një rrethanat, përqasjet por dhe ‘koncidencat’ e rastit që kanë ndodhur.
Por heshtja e SPAK është e frikshme, pasi nëse nuk do të ishte bërë prezente nga gazetari Hoxha një situatë e tillë e dëshmisë së Dumanit që akuzon Metën se ka paguar për vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të deputetit socialist, mediat do vijonin të botonin ‘hartimin’ e nxjerrë ‘rastësisht’ nga SPAK si ‘ushqim” për ta, për vrasës të rëndomtë e për pagatorë vrasjesh po njerëz të akuzuar publikisht se vrasjet i kryejnë vetë, pa ndihmësa apo pa paguar kokërr leku për diçka që e kanë profesion të tyre.
Për pasojë dhe shqiptarët do të vijonin të “mbllaçisnin” atë që kanë përcjellë mediat deri më tani përmes dëshmisë së Dumanit. Nuk është rastësi që ngjarja “zhvendoset” në Lezhë, kur dihet acarimi i Ilir Metës në zgjedhjet e verës së vitit 2017, teksa me “mantelin” e presidentit të votuar dhe në pritje të betimit, ai kërcënoi ditën e zgjedhjeve se do të përdorë forcën për mbrojtjen e votës nga “njerëzit e krimit”.
Ndërkohë që Monika Kryemadhi dhe Arben Ndoka, ndonëse në koalicion, kanë pasur debate dhe sherre për votën sidomos në Laç dhe Mamurras. Por ishin sherre brenda koalicionit të cilat u shuan dhe në zgjedhjet e vitit 2017, kryetarja e LSI u zhvendos në qarkun e Elbasanit për të kandiduar, një zonë tjetër problematike për situatën e krimit në Shqipëri.
Dëshmia e Dumanit, e përcjellë publikisht nga gazetari Artan Hoxha nuk ishte një ngjarje për të kaluar radhën dhe as për t’u arkivuar si nga organet ligjzbatuese ashtu dhe media. Bëhej fjalë për një vrasje me pagesë, që sipas dëshmisë, pa e marrë kategorikisht të vërtetë por thjeshtë të dyshuar, implikonte as më pak dhe as më shumë por presidentin e Republikës.
Por pas mesdite kanë ardhur dhe reagimet e para. Në fillim ka reaguar LSI e cila e ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Ilir Metës në vrasjen me pagesë të vëllait të ish deputetit të PS. Madje ka sulmuar dhe gazetarin që bëri publik lajmin, se ka shitur shpirtin për lajme të rreme.
Nga ana tjetër pak kohë pas LSI ka reaguar dhe SPAK i cili mohon që në dosjen hetimore të jetë përfshirë dëshmia e Dumanit për Ilir Metën si porositës i vrasjes me pagesë. Madje i bën thirrje dhe mediave që të kenë kujdes në publikimin e informacioneve të tilla, sipas SPAK, aspak të vërteta. Aq më keq, nëse nuk e paskan zbardhur, pasi gazetari investigativ
Ndërkohë që sërish ka qënë gazetari Artan Hoxha që ka sfiguar SPAK, duke nënvizuar se Dumani ka dëshmuar jo vetëm për Ilir Metën por dhe për 3-4 deputetë, dhe për këtë ai kërkon që të zbardhet e plotë dëshmia. “Nëse unë i nxjerr ato që ka thënë, cili nga ata do të mbajë përgjegjësi se nga ka rrjedhur. Çdo deklarim nga ky grup personash, që kanë vrarë njerëz të pafajshëm duhet të verifikohen një nga një. Dhe nuk duhet të rrëmbehemi. Sot janë vënë në lëvizje, po të kisha nxjerrë edhe tre deputetë të tjerë. Po nxora dëshminë unë çfarë do thonë?”, deklaron Hoxha pas reagimeve të LSI dhe SPAK. Pra duhet zbardhur dhe verifikuar çdo dëshmi e të të penduarve.
Minimalisht Meta duhet të ishte në “axhendën” e radhës për t’u pyetur dhe dhënë shpjegime në lidhje me këtë akuzë, për të marrë sqarimet e nevojshme, qoftë dhe për ta liruar nga një barrë e tillë. Pasi është një akuzë shumë e rëndë edhe për një njeri të rëndomtë të krimit vrasja e një zyrtari politik vendor të zgjedhur me votat e qytetarëve. Aq më tepër vëllai i një ish deputeti. Dhe bëhet fjalë për akuza të rënda ndaj kreut të shtetit nga një i penduar i drejtësisë, si pagator i kësaj vrasjeje. Nëse nuk verifikohen, si do të besohen thëniet e tjera të Dumanit.
E themi këtë se akuzat ndaj Ilir Metës për vrasje me pagesë s’bëhen për herë të parë tani, pas zbardhjes së dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Dumani. Eshtë akuzuar dhe më parë. Bëhet fjalë për akuzën e porositjes së vrasjes me pagesë të kreut aktual të PSD, asokohe deputet i PS Tomë Doshi dhe deputetit të PD Mhill Fufi. Vrasje e mbetur në tentativë sipas akuzatorëve. Madje ka qënë Berisha ai që e ka akuzuar asokohe Ilir Metën si porositës i vrasjeve me pagesë të dy deputetëve të asaj kohe, duke dhënë siç di vetëm ai, skenarin e këtyre vrasjeve si dhe arsyet se përse ishte paguar dikush për t’i vrarë ata.
Pra Meta e ka për herë të dytë akuzën për vrasje me pagesë. Ndaj SPAK duhet ta shqyrtojë me detaje këtë rast, jo thjeshtë të mjaftohet duke mohuar. S’besojmë se do ndjehej komod askush në Shqipëri, që të besojë se ka pasur në krye të politikës ministër, zv.kryeministër, kryeministër, President, kryetar partie po e po, një vrasës me pagesë.
Dhe ne bashkë me shqiptarët urojmë që Dumani t’ia ketë futur kot në dëshminë e tij për Metën si porositës i vrasjes së realizuar të Aleksandër Ndokës, vëllait të deputetit socialist. Do ndjeheshim më mirë sikur Meta të dilte dorëjashtë nga këto akuza, por ama duhet transparencë për këtë rast. Dhe këtë hetim të thelluar dhe transparencë duhet ta bëjnë SPAK. Me heshtje e marrje leje nga “shoku i lagjës”, zvarritje dhe skuthllëk, jo vetëm që nuk zgjidhet zbardhja e këtyre akuzave të në dëshminë e Dumanit, ndonëse të pa traskriptuara nga prokurorët dhe të mohuar nga SPAK, por konsolidohet bindja, ndoshta e gabuar, se Meta është porositësi me “kollaro” apo “papion” quajeni si të doni, të vrasjeve politike me pagesë në Shqipëri.
Sa më shpejt të veprojë SPAK, dhe akoma më tej sa më shumë transparencë për hetimin e këtyre akuzave dhe jo të mohojë siç bëri dhe me Dumanin që tha se nuk është i penduar i drejtësisë e më pas e pranoi, aq më rehat do të ndiheshin shqiptarët, por dhe vetë Ilir Meta, i cili do të çlirohej nga akuzat për vrasje me pagesë, ose mund të përballonte më me dinjitet një fund të tmerrshëm se sa një tmerr pa fund.
Sepse janë me zarar këto punë, pasi dikush ka humbur prindin, dikush ka humbur vëllain, dhe kur “humb gjënë më të shtrenjtë, bashkë me të ke humbur dhe shpirtin”. Ndaj zvarritjet, heshtja apo mohimi nuk janë zgjidhje, pasi krijojnë hamendësime dhe përbëjnë rrezik.