Në procesin e monitorimit dhe shqyrtimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, bazuar në respektimin e kërkesave të ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA ka pasur në fokus gjatë muajit qershor dhe aspekte të shqipes së folur dhe të shkruar.
Shqyrtimi i përmbajtjeve u krye për përputhshmërinë e zbatimit të parimeve themelore dhe kërkesave të ligjit 97/2013, neni 4, “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, dhe të Kodit të Transmetimit të AMA-s, seksioni 1, “Parimet themelore”, të cilat sanksionojnë detyrimin e OSHMA-ve për përdorimin e standardit letrar të gjuhës shqipe.
Duke i’u referuar problematikave që u identifikuan, po përmendim ato që ishin dhe më të shpeshta në transmetimet audiovizive:
-Në transmetimet e OSHMA-ve të monitoruara ka kujdes për zbatim të standardit letrar të shkruar e të folur, por jo në nivelin e detyrimit dhe rolit që kanë mediat audiovizive për ruajtjen dhe përdorimin e gjuhës amtare në programet audiovizive;
-Përgjithësisht, gjuha e folur, në lajme dhe programe informative, veçanërisht në televizionet kombëtare, dëshmon për rritje të kujdesit ndaj drejtshqiptimit e komunikimit, por nuk respekton me përpikmëri parimet, normat e kërkesat gjuhësore;
-Në programet me natyrë argëtuese janë identifikuar dhe komunikime në zhargon të moderatorëve me të ftuarit, si dialogje të rëndomta që hasen në mjedise të lirshme kafenesh apo mjedise të tjera publike dhe private;
-Gjatë gjithë periudhës së monitorimit, në të gjitha OSHMA-të, u vërejtën mjaft raste të përdorimit të panevojshëm, nga gazetarët e moderatorët, të fjalëve, fjalive e ndërtimeve sintaksore të gjuhëve të huaja;
-Edhe pse ka përmirësime, në televizionet informative, në shkrimin e titrave, por dhe në televizione kombëtare, në titrat e edicioneve informative, vijon të mos përdoret germa “Ë”, (e madhe) dhe “Ç” (e madhe).
Kjo e fundit krijon dhe vështirësi e keqkuptime tek teleshikuesit. Në mjaft raste të tjera, në të njëjtat televizione, sidomos në përkthimin e filmave e dokumentarëve, germat “Ë”, “ë”, “Ç”, “ç”, përdoren sipas normës drejtshkrimore.
Rastet e mësipërme nuk janë spontane, por dukuri që përsëriten. Si të tilla ato cënojnë e vështirësojnë komunikimin me publikun, dëmtojnë e deformojnë gjuhën, ndikojnë negativisht sidomos në formimin gjuhësor të fëmijëve, përbëjnë shkelje të ligjit e të Kodit të Transmetimit të AMA-s.
Transmetimet audiovizive kanë një rol dhe ndikim shumë të rëndësishëm tek ndjekësit, jo vetëm për informim, edukim dhe argëtim, por dhe për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Standardi i shqipes së folur dhe të shkruar është përgjegjësi redaksionale, si pjesë e shërbimit dhe angazhimit të tyre për përmbajtje sa më cilësore dhe të shumëllojshme.
AMA do të vijojë monitorimin dhe vlerësimin e përmbajtjeve edhe sa i takon respektimit të kërkesave për shqipen e folur dhe të shkruar, me pritshmëri maksimale që të gjitha OSHMA-të do të ndjekin me seriozitet dhe profesionalizëm këto aspekte.