Ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim, thotë se vendi ynë ka përparuar në luftën kundër korrupsionit, por ka ende shumë punë për të bërë. Gjatë fjalës së saj në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit, Kim u shpreh se “ka ardhur koha që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë”.
“E turpshme që dikush të shmangë ligjin. Kemi qytetarë të arsimuar që e kuptojnë dhe kërkojnë të drejtën e tyre si baza për demokracinë. Ka ardhur koha që të thoni se ligji është i zbatueshëm për të gjithë, jo se jemi hakmarrës, por çdo qytetar duhet të trajtohet njëlloj. Ju po kërkoni që fëmijët tuaj të keni mundësi të barabartë si fëmijët e çdokujt tjetër. Nëse janë të talentuar, të marrin një vend pune. Nëse punojnë fort, të fitojnë para. Duhet të punojmë së bashku, të bëjmë punën e madhe sepse Shqipëria duhet të ecë përpara”.
Ambasadorja amerikane përmendi arritjet e Shqipërisë, teksa ka punuar në krah të SHBA-së, si në rastin e dënimit të agresionit rus ndaj Ukrainës, ku me nismën e vendit tonë dhe SHBA-së janë miratuar disa rezoluta. “Ju jeni me ne në çështje që kanë lidhje me Ukrainën, ambasadori juaj në OKB është një super yll… Shqipëria ka vlerë, ka peshë. Jeni në nivel tjetër, tashmë ka ardhur koha për vendime më të vështira, por nuk mund ta bëni nëse korrupsioni është i pranueshëm”.