Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është pjesë e homazheve në nder të ish-presidentit Bujar Nishani.

Ish-Presidenti Bujar Nishani do të përcillet në banesën e fundit këtë të enjte, ndërsa vendi është në ditë zie.

Përmes një vendimi qeveria shpalli datën 2 Qershor ditë zie kombëtare në nderim të ish-presidentit të ndjerë. Vendimi parashikon që në të gjitha institucionet publike flamuri të ulet në gjysmë shtizë.

Homazhet në Presidencë vijojnë edhe sot prej orës 10:00, ndërsa nderojnë ish-presidentin politikanë, zyrtarë të lartë dhe dashamirës të tij.

Arkmorti ish presidentit Bujar Nishani mbërriti nga Gjermania në pikën kufitare të Morinit orët e para të mëngjesit të të mërkurës.

Prej orës 10:00 arkmorti ish-Presidentit u vendos në hollin qendror të presidencës, nga ku të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët përfshi shumë qytetarë zhvilluan homazhe në nder të tij.

Sot nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare funebre e homazheve sipas protokollit të Shtetit, për t’iu drejtuar më pas varrezave të Sharrës ku do të prehet zoti Nishani.

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin të Gjermanisë. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post covid.

Më pas u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar në mushkëri.