Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në takimin me Denys Shmyhal, Kryeministër i Republikës së Ukrainës, ka përmendur sërish Kosovën.

Ai i ka bërë thirrje Ukrainës që të rishikojë vendimin për të mos njohur Kosovën dhe ka shtuar se Prishtina nuk ka mbetur peng i së shkuarës, duke pasur parasysh sjelljen e Kievit kur Kosova ishte nën sulm.

Rama ka shtuar se Ukraina duhet të dërgojë një mesazh mbi realitetin europian që duhet të ndërtohet.

“Krah Ukrainës deri në fund. Ende nuk e ka njohur Kosovën dhe e thashë edhe gjatë konferencës së shtypit edhe publikisht, që ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës sepse ata e meritojnë dhe realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme sepse nuk ngelën pengesë të shkuarës se si u soll Ukraina kur Kosova sulmohej.
Do të ishte mirë që Ukraina të përçonte mesazhin e duhur për realitetin e ri europian që duam të ndërtojmë.

Faleminderit që ndatë me ne realitetin jo vetëm në foto që kishim parë. Ishte mallëngjyese të shihje si ishin shndërruar në qytete të humbura. Jemi të kënaqur të bashkohemi në përpjekjet për të rindërtuar këto qytete, 1 milion euro nuk do të zgjidhin problemet tuaja por për buxhetin tonë është diçka që tregon respekt për ju. Duam të bashkohemi me vendet e Ballkanit dhe të ndërtojmë secili një bllok, për të kujtuar se Ukraina kishte miq dhe për të treguar solidaritetin me fakte dhe jo me deklarata”, tha Rama.