Në ambientet e Expocity në Tiranë, u çel mbremjen e djeshme, edicioni i parë i Automotive Fair Albania 2022, për të vazhduar deri më 19 Qershor 2022, që do të mbahet në Expocity. Organizuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Automotive Fair Albania” është edicioni i parë i panairit të makinave në Shqipëri, me përmasa rajonale i cili u çel sot, si një takim i shumëpritur për industrinë automotive, një vitrinë rajonale për sipërmarrjet më novatore në trojet shqipfolëse.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Panairit Automotive Fair Albania 2022, Drejtuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja u shpreh se: çfarë na sjell sot këtu, është kjo industri që vë në lëvizje të gjithë vendin, por pas këtij bashkërendimi të suksesshëm forcash, sot mund të manifestojmë emocionet e pasionet motorike.
Ai ndau me të pranishmit edhe pasionin e kahershëm që ka për makinat duke theksuar se: Dashurinë time për makinat e kam shprehur plot herë, s’është më risi. Por sot shpreh magjepsjen që vjen prej gjithë këtyre celulave të industrisë automotive të bëra bashkë këtu, në Automotive Fair Albania. Më të rejat e të përzgjedhurat, ato klasiket e historiket, ato futuristiket, të gjitha bashkë me grupet e tyre operative, bashkë me duart e mendjet e talentuara që i prodhojnë e ndërtojnë, për të promovuar kulturën automotive.
Gonxhja falenderoi të gjithë ata që u investuan në relizimin e këtij eventi të rëndësishëm duke përfshirë kryeministrin Rama, ministren Balluku si edhe ekipin energjik dhe të përkushtuar të DPSHTRR-së.
Fjala e Blendi Gonxhja në mbrëmjen e hapjes së Panairit Automotive Fair Albania 2022!
Mirëmbrëma të gjithëve!
Çfarë na sjell sot këtu, është kjo industri që vë në lëvizje të gjithë vendin, por pas këtij bashkërendimi të suksesshëm forcash, sot mund të manifestojmë emocionet e pasionet motorike.
Dashurinë time për makinat e kam shprehur plot herë, s’është më risi. Por sot shpreh magjepsjen që vjen prej gjithë këtyre celulave të industrisë automotive të bëra bashkë këtu, në Automotive Fair Albania. Më të rejat e të përzgjedhurat, ato klasiket e historiket, ato futuristiket, të gjitha bashkë me grupet e tyre operative, bashkë me duart e mendjet e talentuara që i prodhojnë e ndërtojnë, për të promovuar kulturën automotive.
Shumë elementë të kësaj industrie po evolojnë me ritmin e pakapshëm të teknologjisë që përparon, por ja që kjo industri arrin ta kapë.
Dhe cilët jemi ne që të mos e ndjekim këtë zhvillim, që veçse mirë mund t’i bëjë vendit dhe rajonit, ndaj këto ditë duam që ky të jetë vendi ku mund të preken dhe ndihen produktet në të gjitha segmentet dhe markat. Ku të rinjtë mund të popullojnë sallat dhe të njihen me punëmarrës premtues, ku të rinj gjenialë të zhvillojnë novacione e shpikje që e bëjnë më eficente jetesën tonë dhe më të sigurt. Ku mes gjithë vështirësive që përballemi, e që nuk janë nën kontrollin tonë, të vihemi në kërkim të zgjidhjeve afatgjata, të gjelbra dhe të qëndrueshme!
Këto nuk janë vetëm kryefjalët e kohëve moderne, këto janë e ardhmja dhe ne me planet, për rritjen e sigurisë rrugore, për shoferë të ndërgjegjësuar e pilotë të ardhshëm, për digjitalizimin e shërbimeve, për bashkëpunimin me rininë dhe risinë, e me ëndrrat tashmë shumë pranë realizimit të Automoto Park Albania… jemi zotuar të përmbushim!
Falenderoj përzemërisht Ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Znj. Edona Bilali, co-host dhe prej njohjes me të cilën linden sythet e para të këtij Panairi.
Falenderoj Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku për besimin e mbështetjen e dhënë në këtë mision sfidues pa të cilën e gjitha kjo s’do kish qenë e mundur, ashtu si dhe për suportin e vazhdueshëm në transformimin e entit tonë në një organizëm të besueshëm, të suksesshëm e të qëndrueshëm.
Falenderoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama që më besoi detyrën e rëndësishme si Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, duke hapur një horizont të ri mundësish për të rijetëzuar sektorin e transportit rrugor e për t’i rikthyer dinjitetin e munguar ndër vite, mision i cili më shtyu ta pranoja këtë pozicion pa më të voglin hezitim.
E së fundmi, por jo nga rëndësia, falenderoj ekipin energjik dhe të përkushtuar të DPSHTRR-së. Rrugët e imagjinatës nisën këtë rrugëtim, ndërsa dedikimi, pasioni, puna bënë bashkë motorin shtytës.
Ju ftoj në magjepsjen që ushtron bota e automotorizimit, në çdo qelizë të saj! Faleminderit!