Nga Valdete Sinaj
Propozimi i Gjeneral Major Bajram Begajt nga Partia Socialiste për të qënë Presidenti i ri i Republikës i ka dhënë fund këtë të premte një vale hamendësimesh e supozimesh publike që na kanë shoqëruar javët e fundit, por jo vetëm kaq.
Propozimi i shefit të shtabit të Forcave të Armatosura, profili i një ushtaraku model, të vlerësuar për reputacionin e tij profesional dhe integritetin individual duket se do të mbyllë njëherë e mirë, një kapitull të vjetër të historisë së demokracisë sonë, bjerrjen e institucionit të presidentit në kënetën politike.
Të gjithë ata që e njohin nga afër gjeneralin me karrierën e pasur ushtarake dhe qytetarin model Bajram Begaj, e kanë fare të qartë se sa domethënës dhe i rëndësishëm është profili i tij në krye të shtetit.
Vlerat që Begaj ka demonstruar duke përmbushur me dinjitet detyrat e njëpasnjëshme në fushën e sigurisë, janë ato që sot i nevojiten më shumë se kurrë Kreut të ri të Shtetit, për ta ngritur institucionin e Presidencës në nivelin më të lartë të përfaqësimit të shqiptarëve.
Një institucion të nxjerrë nga binarët kushtetues si ai i presidencës nën drejtimin e Ilir Metës, mund ta shpëtojë dhe nderojë vetëm integriteti moral e profesional si ai i Bajram Begajt.
Gjeneral Begaj, i vlerësuar edhe nga forcat ushtarake të aleatëve perëndimorë, përfshirë këtu NATO-n, për profesionalizmin, vendosmërinë dhe kontributin e tij në fushën e sigurisë kombëtare e rajonale, tanimë ka shansin që të njejtin standard, atë të qytetarisë në shërbimin publik, ta reflektojë në detyrën e kreut të shtetit, si një tjetër kontribut madhor ndaj vendit të tij.