Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha se e mbështet çdo nismë rajonale që bazohet në rregullat e Bashkimit Evropian dhe që ka për qëllim fuqizimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Deklarata erdhi pas takimit të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i DASH nuk pranoi të komentonte për mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim, por tha se “bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punonjësish, në zemër të Evropës”.

Më herët, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ju drejtua pjesëmarrësve në takim me mesazhin per të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit.

“Në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme duhet të jetë e hapur për të gjithë”, ishin fjalët e Escobar.

Zyrtari i lartë ftoi pjesëmarrësit që të harmonizojnë “Ballkanin e Hapur” me nismat e tjera aktive si procesi i Berlinit dhe porositi liderët e rajonit që të mos e politizojnë iniciativën.