Franca është në bisedime me Emiratet e Bashkuara Arabe për të gjetur alternativa ndaj naftës ruse të goditur nga një embargo evropiane, tha sot të dielën ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire.

“Këto janë diskutime që tashmë janë duke u zhvilluar me Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Le Maire në ”Europe 1” dhe ”CNews” duke shtuar se Parisi po kërkonte “zëvendësues për furnizimin me gaz ose naftë nga Rusia”. Bashkimi Evropian vendosi të premten paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës, duke përfshirë një ndalim të furnizimeve të saj me naftë.

Embargoja progresive do të prekë dy të tretat e blerjeve evropiane. Gjermania dhe Polonia vendosën vetë të ndalojnë dërgesat përmes gazsjellësit ”Druzhba”. ”Në këtë kontekst, Abu Dabi mund të jetë të paktën një alternativë e përkohshme ndaj naftës ruse”, tha Le Maire.

Lufta çoi në një rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve duke rënduar shumë në perspektivat e rritjes ekonomike franceze. ”Qeveria franceze do të rishikojë parashikimin e rritjes, që aktualisht është 4%”, shtoi ministri i Ekonomisë.