Vendimi i Bullgarisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për të ndaluar avionin e Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të kalonte në hapësirën e tyre ajrore, duke sjellë si rezultat anulimin e një vizite të tij në Serbi, është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara.

“Kjo pasqyron angazhimin e Evropës për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në konferencën e tij të përditshme për shtyp, në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës.

Vetë Lavrov, që duhet të qëndronte për dy ditë në Serbi, e cilësoi të pashembullt vendimin e tre fqinjëve të Serbisë që janë anëtare të NATO-s.

“E di se do të ketë shumë shpjegime, të cilat ne nuk i kemi dëgjuar ende. Vendet që kanë mohuar fluturimin do të thonë se kanë marrë një urdhër nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Ato ndërkaq do thonë se këto vende kanë vendosur vetë”, tha ai.

Për Price ndërkohë, veprimi i tre vendeve ishte ishte një vendim sovran i vendeve sovrane dhe theksoi se ato janë vende të aleancës.

“Të treja vendet janë anëtare të NATO-s dhe angazhimi në bazë të Nenit Pesë (të NATO-s) ndaj këtyre vendeve është i palëkundur. Vetëm dje ne shënuam pesë vjetorin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe në mars dy vjetorin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut”, tha Ned Price.

Lavrov pretendon se pavarësisht kësaj që ndodhi, askush nuk do të jetë në gjendje të shkatërrojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë, dhe tha se kanë ftuar ministrin e Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, të vizitojë Moskën tani shpejt.