Teksa kryeministri Edi Rama po viziton Kievin së bashku me kryeministrin e Malit të Zi Abazoviç, në Tiranë ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një tjetër deklaratë qesharake, ose më saktë një tjetër blof politik.
Berisha shkroi gjatë ditës së sotme se nga vizita në Kiev ishin përjashtuar ministrja e jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, nga kryeministri Rama.
Në fakt, Ministri Niko Peleshi ndodhet në Ministerialin e Ministrave të Mbrojtjes se vendeve të NATO-s, që zhvillohet në Bruksel, ndërsa ministrja e jashtme Olta Xhaçka ndodhet në New York, ku merr pjesë në një sesion diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Pra të dy ministrat, sipas agjendave të planifikuara prej muajsh, po përfaqësojnë vendin në organet më të rëndësishme të sigurisë globale, ku Shqipëria vazhdimisht ka mbështetur e vijon të mbështesë fuqimisht betejën për liri të Ukrainës.
E teksa përfaqësuesit e qeverisë, Rama në Kiev, Xhaçka në New York, e Peleshi në Bruksel demonstrojnë të gjithë mbështetjen për popullin e Ukrainës, në Tiranë ish kryeministri i shpallur “nongrata” nga perëndimi, publikon të tilla lajthitje politike që nuk kanë asnjë lidhje me kauzën për lirinë, paqen dhe demokracinë e Europës.