Kryeministri britanik, Boris Johnson zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan ku diskutuan bllokadën e Rusisë ndaj eksporteve të Ukrainës nga Deti i Zi, sipas express.co.uk.
Johnson i tha Erdogan se Britania e Madhe mbështet planet e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar me NATO-n, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë.
Në një deklaratë të publikuar nga Qeveria thuhet se kryeministri Johnson dhe presidenti Erdogan diskutuan gjithashtu sigurinë globale të ushqimit, mbrojtjen dhe bashkëpunimin ekonomik.
Kryeministri Johnson e informoi presidentin Erdogan për vizitën e tij të fundit në Kiev. Të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e përfundimit të luftës dhe rivendosjen e sovranitetit të Ukrainës.
Ata vazhduan diskutimet lidhur me përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund urgjentisht bllokadës së Rusisë ndaj eksporteve të grurit ukrainas, e cila po godet veçanërisht vendet në zhvillim.
Kryeministri Johnson përshëndeti lidershipin e vazhdueshëm të Turqisë dhe angazhimin për të mbajtur të hapura rrugët tregtare të Detit të Zi.
“Përpara samitit të NATO-s i planifikuar javën e ardhshme, kryeministri përsëriti mbështetjen e Britanisë së Madhe për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë dhe ra dakord me presidentin Erdogan se të gjitha palët duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur një progres”, sipas deklaratës së Britanisë së Madhe.
Udhëheqësit mirëpritën gjithashtu rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes dhe sigurisë mes Britanisë së Madhe dhe Turqisë dhe krijimin e mundësive të reja për thellimin e këtij partneriteti.