Punimet në By Passin e Vlorës janë drejt fundit. Brenda Qershorit, ky aks do të jetë i kalueshëm për pushuesit e shumtë të bregdetit të Jugut, sipas të gjitha standardeve.
95% e punimeve në By Pass e Vlorës kanë përfunduar. Sipas inxhinierëve kanë mbetur vetëm 5% e punimeve apo e thënë ndryshe vetëm 2 km që përfshijnë zonën e Kaninës.
Zona e Kaninës ka qenë më e vështira për punimet inxhinierike.
“Këtu jemi në zonën e Kaninës që fillon që nga km 10 deri në km 12, janë 2 kilometra më të vështirë që kemi pasur për shkak të vështirësive gjeologjike dhe po kryhen punimet për trupin e rrugës mbushjen për paketat rrugore. Kjo pjesë do hapet do shtrohet edhe me asfalt do ketë dhe sinjalistikën”.
Përfundimi i punimeve në këtë zonë do të shmangë futjen e automjeteve mes përmes Kaninës, ashtu si një vit më parë.
Në pjesët e tjera po vijohet me vendosjen e barrierave mbrojtëse dhe sinjalistikën.
Hapja e By Passit do t’i japë zgjidhje përfundimisht trafikut të rënduar që krijon sezoni turistik në qytetin e Vlorës e në Radhimë dhe do të shkurtojë në kohë distancën nga dalja e autostradës Levan – Vlorë deri në Orikum.
“Distanca e By Passit është 28,8 km që po të lëvizësh me 60km/orë do të jetë për 30 minita duke anashkaluar trafikun e qytetit”.
Në çdo 1.5 kilometër të këtij aksi është parashikuar një vendpushim panoramik për të shijuar bukurinë e bregdetit të Vlorës apo për të apasionuarit e shumtë pas fotografive.
Përfundimi i punimeve në këtë aks do të plotësohet me rrugën Orikum – Dukat dhe me tunelin e Llogarasë, vepra këto që do t’i afrojnë akoma më shumë plazhet e bukura të jugut, mjaft të frekuentuara nga qytetarët shqiptarë e mijëra turistë të huaj, që shtohen çdo vit.