Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi foli në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Edi Rama në pallatin e kongreseve ku janë mbledhur sot kryetarët e bashkive.

Çuçi deklaroi se ka realitete të ndryshme nga bashkia në bashki sa i takon menaxhimit. Ai theksoi se ka modele bashkish që kanë arritur ta zerojnë borxhin e trashëguar nga pala tjetër por disa të tjera janë në prag të falimentimit.

Ai kërkoi nga këto të fundit më shumë përgjegjshmëri pasi tha se nuk është mision i pamundur duke pasur parasysh shembullin e atyre që kanë performancë më të mirë.

“Kemi krijuar modele të suksesshme të funksionimit të bashkive. Sot bashkitë mbledhin më shumë të ardhura nga taksat vendore dhe kanë më shumë transferta nga qeveria dhe rritje të transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit.

Transferta është rritur në mënyrë progresive pas miratimit të ligjit të financave vendore. Në vitin 2021 transferta ka shkuar 18 miliardë lekë.

Është rritur me 124% shuma që kanë grumbulluar bashkitë nga të ardhurat e veta krahasuar me vitin 2015.

Por decentralizimi është një proces me dy kahe. Kërkohet ndërgjegjësim dhe përgjegjëshmëri në rritje. Këtu realitetet janë krejtësisht të ndryshme.

Sot kam kënaqësinë të shpreh vullnetin e qeverisë për të vazhduar reformën e decentralizimit. Por ky nuk është qëllim por mënyrë partneriteti që ka për qëllim final shërbime më të mira ndaj qytetarëve.

Kemi realitete të ndryshme nga bashkia në bashki.

Mund të marr rastin e borxheve që kanë trashëguar dhe për fat të keq disa bashki vazhdojnë dhe e thellojnë. Kemi modele bashkish që kanë arritur ta zerojnë borxhin dhe kemi bashki që janë në prag të falimentimit”, u shpreh ministri.