Nga Artur Ajazi
Duket sikur çdo ditë tek shohim emisionet dhe rubrikat në televizione, qartësojmë realitetin, të përditshmen tonë, të hidhur, të tjetërsuar, të deformuar, dhe të pashpresë. Emisionet në shumicën e tyre në televizionet tona (të pakontrolluara) janë të mbushura me dekadencë dhe mediokritet. Drejtues (që nuk dihet nëse kanë arsimin e lartë apo jo) që shpalosin ide dhe mendime kuturru, pa asnjë lidhje me moshën e përshtatshme, drejtuese që kanë kurajon dhe guxim të paparë, të dalin në ekrane, të bëjnë teori dhe rekomandojnë ndryshimin e jetesës së individit, shoqërisë etj. Mjafton të kalosh me rradhë televiorin mbasditeve (apo mbrëmjeve) dhe të ndalesh në “emisionet rinore, femërore, apo mashkullore” dhe do të dëgjosh fjalorin e ndyrë, sharje, fyerje, përkëdhelje, ofendime, xhestikulacione të papranueshme për studiot televizive. Ku është etika, morali i emisionit, ku është vlera dhe leksioni i atij programi, tek skenat erotike, tek fjalori i rrugës, apo tek shfrenimi i gjithçkaje për të mos arritur gjëkundi?
Shumica e televizioneve tona (veçanarisht ato kombëtare) janë sot pasqyrimi i mediokritetit dhe dekadencës, kur duhej të ishin shkolla të vërteta të etikës, formimit dhe kulturës qytetare, kur duhej të ishin “dritare” nga ku çdo moshë dhe veçanarisht moshat minore dhe adoleshente, të gozhdoheshin dhe të mësonin prej tyre gjithçka që lidhet me pozitivitetin dhe jo negativitetin. E kam të përhershme pyetjen nga djali im adoleshent “përse kaq vulgaritet dhe banalitet në televizione”. Dhe ç’ti them, si t’ja shpjegoj faktin se, ka vite që televizionet tona janë mbushur me djem dhe vajza, (që pasi vijnë në Tiranë dhe zënë ndonjë shtëpi me qera) vijnë me ndonjë dosje në dorë, thonë se “kemi projekt për “X” emision, dhe nisin nga puna sikur të kishin eksperiencën dhe formimin e duhur arsimor dhe profesional”. Si t’ja shpjegoj unë djalit tim adoleshent faktin se, “vulgaritetin, dekadencën dhe mediokritetin, po e përdorin rëndom në televizione për të “thithur shikuesin” siç shprehen ata.
Eshtë e dhimbshme dhe e turpshme, tek shikon skena të stisura, ku shahen dhe ofendohen mes tyre djem dhe vajza, apo gra dhe vajza për probleme dhe çështje pa vlerë, duke dashur të përçojnë gjoja “stilin dhe formën e re të jetës së sotme”.Një miku im drejtor programacioni në një prej televizioneve me shtrirje kombëtare, më tha një ditë se “nuk kam asgjë në dorë, një sms e shefit të madh, dhe nis nga puna me goxha rrogë çdo vajzë apo djalë, që nuk dihet ç’ka mbaruar dhe ku ka punuar, që nuk merret në provë , por të kërkojnë studion dhe kushtet për të bërë emisionin brënda 24 orëve”.
Kjo në fakt është një këmbanë alarmi për ne, (por mbi të gjitha për AMA-n) që jemi të detyruar të shohim mbasditeve apo mbrëmjeve,emisione që vetëm të tilla nuk janë, nga ku trajtohen tema dhe problematika pa filtër, pa etikë, pa nivel, me mungesë të theksuar të artikulimit dhe drejtshkrimit të gjuhës, ku bie në sy, mungesa e shprehive, formimit të fjalive, dhe kulturës së dialogut me të ftuarit. Kjo situatë ka qenë edhe dikur,tek ato 2-3 televizione që u hapën si “dallëndyshet e para të medias së lirë” por nuk mund të tolerohen sot, kur niveli i formimit të drejtuesve dhe gazetarëve në televizionet tona,duhet të jetë i barazvlefshëm me ato në Europë. Banalitetet, mediokriteti dhe dekadenca në media, i përkasin një kohe tjetër, që padyshim nuk ka lidhje me të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi.