Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku i ftuar në një emision televiziv, ka paralajmëruar PD-në se duhet të ketë kujdes në protestën e thirrur më 7 korrik, për shkak të elementëve që ka afruar rreth vetes.
Çollaku vuri në dukje se në takimet që ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur para protestës, ka pasur njerëz që krahasojnë Bashkimin Europian me Bashkimin Sovjetik.
Çollaku tha se nuk do donte që opozita shqiptare të shihej në kancelaritë evropiane si një opozite që është kundër sanksioneve ndaj Rusisë, duke përmendur momentin delikat për shkak të luftës në Ukrainë.
“Patjetër jam në krah të çdo proteste. Lidhur me protestën e 7 korrikut. Kam ende në dilemë. Dilema zuri vendin e entuziazmit fillestar. Unë mendoj se protesta të tilla kanë nevojë për qartësi. Ne jemi dëshmitar se protesta të tilla janë thirrur kundër Vuçiçit e kanë përfunduar me thirrjet “Basha ik”. Shpresoj mos të jetë ky rast. Nuk do doja të përdoret. Edhe brenda PD, për të thënë edhe që shumica jemi ne, hajdeni pas nesh.
Unë në protestë shoh njerëz që nuk i lidh asgjë me doktrinën e PD dhe me PD. Dëgjoj njerëz që thonë se BE është si Bashkimi Sovjetik. Ka nga këta teoristët e konspiracionit. Protesta duhet të jetë e pastër.
Ka ndodhur para pak ditësh një ngjarje e rëndësishme. Arrestimi i kupolës drejtueset të policisë së Elbasanit. Pretendimet që PD ka pasur nga 25 prilli që zgjedhjet janë të blera dolën të vërteta.
Në rast se do të kishte një motiv që ne të ulemi në bulevard që kjo qeveri të rrëzohet, se që zgjedhjet janë fituar me vota të blera është fakt.
E kuptoj që çmimi duhet të ishte debati kryesor i një proteste opozitare. Bota ndodhet në luftë që nga dita e sulmit rus në Ukrainë.
Rrezikojmë ti japin Ramës kredenciale ndërkombëtare të pamerituara. Unë nuk do doja që opozita shqiptare të lexohet në kancelartitë evropiane si një opozitë që refuzon sanskionet.
Jemi në luftë, kemi votuar sanksionet kundër Rusisë. Në situata të tilla duhet të jemi të qartë në mesazhet që japim.
Ftoj miqtë e mi të kahut tjetër në PD të jenë të kujdesshëm me mesazhet, me ata që thonë se BE është si Bashimi Sovjetik.
Nevoja për të përdorur për një protestë çdo lloj elementi me PD, madje mund ti sjellë kosto PD-së.
Opozita shqiptare duhet të ketë qartëësi strategjike. Të jetë e kujdesshme me axhendat euroskeptike”, tha Çollaku.