Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare gjermane, CDU/CSU, Johann David Wadephul, ka kritikuar në një debat në Bundestag itinerarin dhe deklaratat e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Ballkanin Perëndimor.
Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare gjermane, CDU/CSU, Johann David Wadephul, ka kritikuar itinerarin dhe deklaratat e kancelarit gjerman, Olaf Scholz,dhjetë ditë më parë në Ballkan. Gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e një debati për Ballkanin Perëndimor, Wadephul e quajti udhëtimin të dështuar, çka sipas tij dukej që nga ndalesat: “Njëherë në Prishtinë e më pas në Beograd. Që aty u duk se udhëtimi ishte tejet problematik.”
Wadephul e quajti amatoreske deklaratën e kancelarit gjerman socialdemokrat gjatë vizitës së tij në Beograd për domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, si parakusht për hyrjen e saj në BE. “Kjo është e dëshirueshme dhe këtë e dinë të gjithë, por njohja duhet të vijë në fund të një procesi, ndërsa tani kjo deklaratë e thënë në publik në mënyrë kaq amatoreske e ngarkon të gjithë procesin, i cili është bërë i vështirë për Serbinë”.
Ndryshe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila në konferenca shtypi ishte e përmbajturdhe pritmëritë e drejtpërdrejta, dhe deklaratat i jepte zakonisht pas dyerve të mbyllura, kancelari aktual Olaf Scholz e befasoi opinionin në Serbi, me kërkesën e tij për njohjen e Kosovës. Vendosja e Kosovës në qendër, dhe jo në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga kërkesat kryesore të Kosovës për dialogun.
Qeveria gjermane të mbajë parasysh kushtet për Shqipërinë
Në debatin e Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, Wadephul foli në emër të grupit të tij parlamentar dhe prezantoi mocionin e këtij grupi për angazhim të Gjermanisë për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Mocioni kërkon ndër të tjera që qeveria gjermane të angazhohet me të gjitha forcat dhe me hapa konkrete për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat e ndryshme, për liberalizimin e regjimit të vizave me qytetarët e Kosovës.
Wadephul nuk harroi të kujtonte kushtet që ka vendosur Bundestagu për Shqipërinë për fillimin e negociatave me BE. “Unë pres nga qeveria gjermane që ajo të mbajë parasysh sidomos vendimet që ka marrë Bundestagu për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe të mos bëjë procedura të përshpejtuara”, tha Wadephul.
Në rezolutën e miratuar nga Bundestagu në tetor 2019, parlamentarët gjermanë i dhanë dritën jeshile qeverisë gjermane që të çelte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por grupi parlamentar CDU/CSU, ku bënte pjesë edhe kancelarja e atëhershme, Angela Merkel, i caktoi qeverisë gjermane nëntë kushte shtesë për Shqipërinë, para se kjo të vendoste për fillimin e negociatave. Vendimi i Bundestagut nuk është obligues për qeverinë gjermane.
Bundestagu shqyrton vazhdimin e mandatit të KFOR-it
Parlamenti gjerman debatoi sot edhe për vazhdimin e pjesëmarrjes gjermane në misionin e KFOR-it në Kosovë. Mandati parashikon që në Kosovë të dërgohen deri në 400 ushtarë gjermanë. Kërkesa përkatëse e qeverisë gjermane, pas një në debati prej rreth 40 minutash, iu kalua për shqyrtim komisioneve përkatëse. Kontingjenti gjerman i KFOR-it mbetet kështu i njëjti si më parë, por Gjermania po e shton praninë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje në misionin EUFOR /Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Bundestagu gjerman pritet ta trajtojë këtë mocion po këtë javë.
Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë është angazhuar që nga viti 1999 në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 1999, Bundestagu Gjerman vendosi për herë të parë pjesëmarrjen gjermane në Forcën e KFOR-it në Kosovë. Aktualisht numri i ushtarëve gjermanë të stacionuar është rreth 70. Vazhdimi i misionit pritet t’i kushtojë shtetasve gjermanë shtatë milionë euro. Pritet që zgjatja e mandatit të miratohet me një shumicë të gjerë votash si nga tre partitë qeverisëse, ashtu edhe nga pozita.