Pas pothuajse një dekade që nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për energjinë, Kosova dhe Serbia do të ulen sërish sot në tavolinë për ta rifirmosur atë. Kësaj radhe kryenegociatorët Bislimi e Petkoviç nën ndërmjetësimin e Emisarit të BE-së Lajçak pritet ta finalizojnë marrëveshjen e 2013-ës. Komunat në veri që nga përfundimi i luftës nuk i kanë paguar asnjëherë shpenzimet e rrymës. Për borxhin e tyre është dashur të paguajnë pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës.
Kompania elektrike “Drustvo Elektroserver D.O.O” është kompani publike serbe që pritet të licensohet në Kosovë.
Fillimisht sipas dokumentit të nënshkruar nga palët më 10 shtator 2013, kjo kompani duhet ta marrë licenën nga ZRrE-ja, e cila s’e ka licensuar akoma.
Lidhur me marrëveshjen për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti në një konferencë për media të shtunën tha se s’do të ketë asnjë shërbim shtesë në distribuimin e energjisë në veri përveç katër shërbimeve që janë dakorduar më herët.
“Ajo çka duhet të mbahet mend është që bëhet fjalë për katër shërbimet e dakorduara më herët, pra vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e tyre, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim e kemi përmbushur e që i referohet takimit mes KEDS dhe palës serbe vetëm për këtë aspekt ata kanë biseduar. Nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve që i përmenda dhe përtej katër komunave në veri të Kosovës”, tha ai.
Lidhur me mospagesën e konsumit të energjisë në veri, KOSTT ka bërë të ditur se vetëm në vitin 2021 humbjet kanë arritur në 40 milionë euro, sipas Gazetës Express.
Marrëveshja për Energjinë e nënshkruar më 2013:
1. Të dyja palët konfirmojnë angazhimin e tyre për të përmbushur të gjitha detyrimet e tyre në bazë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, dhe për të aplikuar acquis energjetike të BE-së. Këto marrëveshje janë plotësisht në përputhje me këto dokumente.
2. KOSTT dhe EMS do të nënshkruajnë, brenda 3 muajve, një marrëveshje dypalëshe operacionale për vendosjen dhe rregullimin e marrëdhënieve mes dy Operatorëve të Sistemit të Transmisionit. Përveç kësaj, do të shfuqizohen Marrëveshja e mëparshme e Përkohshme e Shkëmbimit të Energjisë dhe Marrëveshja e Përkohshme Teknike.
KOSTT do të njihet si Operatori i Sistemit të Transmisionit për territorin e Kosovës për qëllimin e pjesëmarrjes në të gjithë mekanizmat relevantë (LTC, Menaxhimi i Mbingarkesës, etj.).
EMS do të mbështesë KOSTT-in që të bëhet një anëtar i ENTSO-E.
3. Autoritetet rregullatore të energjisë të të dyja palëve do të hapin kanale të drejtpërdrejta të komunikimit për të diskutuar tema me interes të ndërsjellë. Autoritetet rregullatore të të dyja palëve, pas aplikimit, pa vonesë, dhe në përputhje me kërkesat e kornizës ekzistuese të licencimit në juridiksionin e tyre, lëshojnë licenca që mbulojnë tregtinë (import, eksport, transit) dhe furnizimin e KEK-ut, KEDS-it dhe EPS-së, respektivisht.
4. Të dyja palët do të përshpejtojnë procesin e hapjes së tregut deri më 1 korrik 2014, në përputhje me kalendarin e përcaktuar nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, pra duke lejuar themelimin e një kompanie të re të energjisë elektrike për furnizim të konsumatorëve. Të dyja palët janë gjithashtu dakord që një kompani e tillë do të themelohet sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.
5. Kjo kompani e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes (të tilla si faturimi, inkasimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur. Kjo kompani e re, në mënyrë që të veprojë sipas pikës 4, do të nënshkruajë marrëveshje me KOSTT-in në mënyrë që të marrë pjesë në tregun e energjisë në Kosovë dhe të bëhet palë e balancuar dhe e përgjegjshme.
Menjëherë pas themelimit të kësaj kompanie të re, ajo do të hyjë në diskutime me KEDS-in dhe KOSTT-in mbi të gjitha çështjet e tjera me
interes të ndërsjellë, duke përfshirë edhe sigurimin e qasjes palës së tretë.
Punonjësit e JP Elektrokosmet ose do të inkorporohen në këtë kompani të re ose mund t’u ofrohet punësim në KEDS.
KOSTT-i do rilidhë linjat 110 kV për Vallaç. Operatorët aktual në nënstacionin Vallaç do t’i respektojnë udhëzimet nga qendra dispeçerike e Kosovës.
6. Të dyja palët bien dakord që të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët sa i përket pretendimeve të KOSTT-it dhe pretendimeve të EMS-së. KOSTT-i konsideron se këto pretendime janë për transit të papaguar dhe alokim të të ardhurave të interkoneksionit, kurse pretendimet e EMS-së janë për rregullimin sekondar. EMS konsideron se këto pretendime janë për shërbime për rregullimin sekondar dhe terciar. Nëse nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e përbashkët brenda 6 muajve, të dyja palët bien dakord t’i paraqesin këto pretendime para arbitrazhit ndërkombëtar.
7. Një grup implementimi do të formohet në mënyrë që të hartojë një Plan të plotë të Veprimit për zbatimin e Marrëveshjes së ardhshme. Procesi i zbatimit të plotë do të fillojë pas marrjes së pranimit me shkrim të Planit të Veprimit.