Pjesëmarrës të nismës “Ballkani i Hapur” mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për takimin e radhës.
Sot pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Jashtë saj janë ende Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Mali i Zi dhe Bosnja marrin pjesë në samit në cilësinë e vëzhguesve
Përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në cilësinë e vëzhguesit.
Pjesëmarrësve, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.
Abazoviç ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”, ndërsa Bosnje e Hercegovina mbetet në qëndrimin për të mos qenë pjesë e kësaj nisme, ngjashëm si Kosova.
Kryeministri Edi Rama u takua dje me Abazovic teksa shkroi se sot fut zyrtarisht Malin e Zi në këtë iniciativë.
“☕️Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazovič, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po edhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur🇲🇪🤝🇺🇸🤝🇦🇱”, shkroi Rama.
Kosova nuk do të marrë pjesë në takimin e Ohrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Ky proces është një iniciativë e nisur në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim promovimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin evropian.
Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Në letrën dërguar Kovaçevskit, Kurti ka ftuar homologun maqedonas që “të punojmë së bashku për të parandaluar Serbinë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”.
Varhelyi dhe Escobar do t’u drejtohen pjesëmarrësve
Pjesëmarrësve në Ohër, përmes video-lidhjes, do t’u drejtohet edhe komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si dhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Me këtë hap, Varhelyi dhe Escobar do të dëshmojnë se nisma e “Ballkanit të Hapur” ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës amerikane.
Çfarë parashihet në marrëveshjet që pritet të nënshkruhen?
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Tri vendet anëtare i kanë ftuar vazhdimisht edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.
Deri më tani, palët kanë nënshkruar disa marrëveshje – për lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, për bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave e të tjera.
Marrëveshja që pritet të nënshkruhet të mërkurën për luftë kundër evazionit fiskal, thekson se tri vendet e kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në këtë fushë, gjegjësisht në shmangien e pagesës së taksave.
Marrëveshja tjetër që pritet të nënshkruhet për njohjen reciproke të diplomave, mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, tri vendet pritet të nënshkruajnë edhe një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim kulturor në Ballkanin Perëndimor.
Në memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit, i cili gjithashtu pritet të nënshkruhet në Ohër, parashihet formimi i një harte turistike, të quajtur “Ballkani i Hapur”. Shtetet nënshkruese janë të detyruara t’i inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, ndërkohë që parashihet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.