Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, në mesazhin e saj për 30 qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, është shprehur se Kuvendi është i angazhuar në reformat demokratizuese dhe integruese.
“Kjo ditë bashkon 272 parlamente (193 Dhoma Deputetësh, 79 Senate) dhe rreth 46 mijë parlamentarë në 193 shtete anembanë globit, në qëllimin e përbashkët për të fuqizuar demokracinë liberale dhe sistemet përfaqësuse.
Kuvendi i Shqipërisë është anëtar aktiv i Unionit Parlamentar Ndërkombëtar dhe forumeve parlamentare ndërkombëtare.
Kuvendi është i angazhuar në reformat demokratizuese dhe integruese, udhëheq e legjitimon procesin e integrimit evropian dhe partneritetin me aleatët evro-atlantikë.
Në fillimet e shekullit të dytë të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi, si një shtyllë e sistemit demokratik, konsolidon traditën për avancimin e reformave, mbrojtjen e interesit kombëtar e publik, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare e publike, transparencën, diplomacinë parlamentare dhe kontributin për sigurinë e paqen”, është shprehur Nikolla.