Dy kryeministrat shqiptar e kosovar, Edi Rama dhe Albin Kurti, kanë folur për burgimin e ish-krerëve të UÇK-së, që vijojnë të vuajnë dënimin në Hagë prej shumë kohësh.
Kryeministri Rama hodhi akuza të forta ndaj raportit të Dick Martin, që fliste për trafik organesh, duke u shprehur se aty ka zero fakte për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa shtoi se në këtë raport fshihen duar jo dashamirëse me Kosovën e Shqipërinë.
Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti tha se do të vizitojë sonte në burgun e Hagës të burgosurit Hashim Thaç, Kadri Veseli, etj.
Kurti: Deklaratat, përshtypjet, intrigat, komentet, për besë janë të pakrahasueshme me ato që po bëjmë me këto mbledhjet e përbashkëta. Është më e udhës të takoj avokatët e ish-ushtarëve të UCK, sepse ka kaluar një vit e gjysmë prej se mbahen në paraburgim, ndërkaq kryetari i Kuvendit i ka takuar, ndërsa unë jo. Këtë do ta bëj sonte.
Rama: Mendova se do vinin pyetje të aspektit konceptual, nuk e dija që do ishin të gjitha pyetjet kështu. Kërkoj ndjesë. Ju thatë që ‘jam euronews’, në fakt pyetjet ishin ‘Prishtina kofinews’, por mbase keni të drejtë se kjo sjell audiencë. Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe do të shkoj personalisht në Strasburg, në rastin më të parë shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Evropës për një fakt, që bëhet gjithnjë e më shqetësues, që është pabazueshmëria totale e raportit Dick Martin, si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe trafikut të organeve. Duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është e përsëritur nga ana e influencës ruse, si dhe duke pasur parasysh se në aktakuzën ndaj Thacit, Veselit Krasniti, Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dik Martin dhe raportin e tij, që ishte shkau pse u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale. Për këtë dikush duhet të hapë veshët, të dëgjojë. Bota këtë duhet ta dëgjojë, sponsorat e atij tribunali duhet të dëgjojnë. Nuk ka asnjë gjë në atë aktakuzë, zero. Kemi gjithë të drejtën të besojmë që këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport.