Tashmë që na ndajnë edhe dy ditë nga provimet e Maturës Shtetërore 2022, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka vijuar takimet me maturantë të rretheve. Pas takimit me maturantët durrsakë, Znj. Kushi ka bashkëbiseduar edhe me maturantë e mësues të Elbasanit.
“Në mjediset e MAS zhvillova një takim edhe me maturantë dhe mësues nga Bashkia e Elbasanit, ku diskutuam rreth sfidave dhe pritshmërive të tyre në lidhje me provimet e Maturës Shtetërore 2022. I sigurova edhe një herë të gjithë maturantët se nga ana jonë dhe e institucioneve përgjegjëse arsimore janë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit, që nga hartimi i testeve e deri tek vlerësimi me saktësi maksimale,” – shkruan ministrja në rrjetet e saj sociale.
Ajo ka falënderuar të gjithë mësuesit për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që po u japin maturantëve gjatë kësaj periudhe përgatitore.
Provimi i parë i Maturës Shtetërore 2022 do të jetë ai i gjuhës së huaj më datë 9 qershor dhe më pas provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë më 11 qershor, ndërsa provimi i matematikës do të zhvillohet më 17 qershor dhe ai i lëndës me zgjedhje më 24 qershor. Provimet e nisin në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të zgjasin dy orë e 30 minuta.