Kur gjysmën e trupit e ke në frigorifer dhe gjysmën tjetër në furrën e sobës, tempratura MESATARE e trupit është 36.5 gradë Celsius. Normale si tempraturë, por gjendja e trupit është tejet anormale. Kjo është një metaforë, enkas e ekzagjeruar në ekstrem, që përdoret nga ekonomistët për të stigmatizuar shoqëri me kontraste të forta mes të pasurve e të varfërve.
Po të bazohesh vetëm në treguesit MESATARË të ekonomisë shqiptare në periudhën 2007-2021 (gjatë së cilës vendi është qeverisur nga Berisha e Rama), krijohet përshtypja (e gabuar) se gjendja është përmirësuar ndjeshëm për shoqërinë në përgjithësi. Kështu, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë dhe të ardhurat e disponueshme për frymë (bazuar në të dhënat e Bankës Botërore) janë rritur rreth 54% në periudhën 2007-2021. Por këtu bëhet fjalë për shifra MESATARE për frymë. Dhe MESATARJA, si tregues, ka problemin e ilustruar nga metafora e mësipërme…
Kështu për shembull, PBB për frymë (pas zhveshjes nga tatimet e taksat që grumbullon shteti) ishte rreth 2600 dollarë më 2007, dhe u ngjit në 4000 dollarë më 2021. Po pyetja është nëse kjo rritje u shpërnda në mënyrë proporcionale në shtresat e ndryshme të popullsisë.
Sipas INSTAT-it, gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht të ardhura mujore nga 50 deri në 510 dollarë në muaj (që përkthehet në 160-1600 dollarë për frymë në vit). Ndërkohë, disa shqiptarë të pasur mund të shpenzojnë 1600 dollarë vetëm për një darkë luksoze (ndër të shumtat darka luksoze të tyre).
Në vendet e zhvilluara nuk preferohet si tregues MESATARJA e të ardhurave për frymë, por MESORJA. MESORJA është pika që ndan përgjysëm popullsinë – gjysma me të ardhura më të larta dhe gjysma tjetër me të ardhura më të ulta. Dhe sa më poshtë MESATARES të jetë MESORJA, aq më josimetrike është shpërndarja e të ardhurave në një shoqëri.